M’Cheyne Bible Reading Plan
25 Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit.
2 Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre.
3 Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit.
4 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Merr të gjithë krerët e popullit, vriti e vari para Zotit përjashta, në diell me qëllim që zemërimi i zjarrtë i Zotit të largohet nga Izraeli".
5 Kështu u foli Moisiu gjykatësve të Izraelit: "Secili nga ju të vrasë ata njerëz të tij që janë bashkuar me Baal-Peorin".
6 Dhe ja, që një nga bijtë e Izraelit erdhi dhe u paraqiti vëllezërve të tij një grua madianite, para syve të Moisiut dhe tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ndërsa këta po qanin në hyrjen e çadrës së mbledhjes.
7 Duke parë këtë skenë, Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, u ngrit në mes të asamblesë dhe mori në dorë një shtizë,
8 ndoqi pastaj burrin e Izraelit në alkovën e tij dhe i shpoi që të dy, burrin e Izraelit dhe gruan, në pjesën e poshtme të barkut. Kështu u ndal fatkeqësia në mes të bijve të Izraelit.
9 Nga kjo fatkeqësi vdiqën njëzet e katër mijë veta.
10 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
11 "Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, sepse ai ishte i frymëzuar nga po ajo xhelozia ime; kështu në xhelozinë time nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit.
12 Prandaj i thuaj: "Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të,
13 që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit".
14 Burri i Izraelit, që u vra bashkë me gruan madianite, quhej Zimri, bir i Salut, i pari i një shtëpie patriarkale të Simeonitëve.
15 Dhe gruaja që u vra, Madianitja, quhej Kozbi, bijë e Tsurit, që ishte i pari i një shtëpie patriarkale në Madian.
16 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
17 "Bjeruni Madianitëve dhe i sulmoni,
18 sepse ju kanë rënë më qafë me dredhitë e tyre dhe ju kanë mashtruar në rastin e Peorit dhe në atë të Kozbit, bijë e një princi të Madianit, motër e tyre, që u vra ditën e fatkeqësisë për çështjen e Peorit".
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:
12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.
13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".
14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.
15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.
16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.
17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.
22 Zoti ka thënë: "Do t’i kthej nga Bashani, do t’i kthej nga humnerat e detit,
23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".
24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.
25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.
26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.
27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.
28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.
29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.
30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.
31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë Perëndisë duart e saj.
32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)
33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.
34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.
35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!
15 Profecia mbi Moabin. Ar-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar. Po, Kir-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar.
2 Éshtë ngjitur në tempull dhe në Didon, në vendet e larta, për të qarë; Moabi ngre një vajtim për Nebin dhe Medebën; të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.
3 Në rrugët e tij ata vishen me thasë, mbi çatitë dhe në sheshet gjithkush ankohet dhe qan me të madhe.
4 Heshboni dhe Elealehu këlthasin, klithma e tyre dëgjohet deri në Jahats; prandaj luftëtarët e Moabit nxjerrin klithma dhembjeje; shpirti i tij drithërohet.
5 Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e të cilit arrijnë deri në Tsoar, si një mëshqerrë trevjeçare. Po, ata e marrin duke qarë të përpjetën e Luhithit dhe nxjerrin britma shkatërrimi në rrugën e Horonaimit;
6 sepse ujërat e Nimrimit janë një shkretim, bari është tharë, bari i njomë është zhdukur; nuk gjelbëron më asgjë.
7 Prandaj pasuritë që i kanë grumbulluar dhe gjërat që kanë mbledhur i çojnë matanë përroit të shelgjeve.
8 Britmat jehojnë nëpër gjithë territorin e Moabit, klithma e tij arrin deri në Eglaim, klithma e tij arrin deri në Beer-Elim.
9 Ujërat e Dimonit janë plot me gjak, sepse do t’i shkaktoj Dimonit të këqija të tjera: një luan për ata që shpëtuan nga Moabi dhe për ata që kanë mbetur në vend.
3 Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre,
2 kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë.
3 Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura,
4 por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.
5 Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre,
6 ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.
7 Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
8 Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,
9 pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.
10 Sepse “kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;
11 të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,
12 sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen.”
13 Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?
14 Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni,”
15 madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,
16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
17 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,
18 sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,
19 me anë të së cilës ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg,
20 që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,
21 i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,
22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.