Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 33

33 Këto janë etapat e bijve të Izraelit që dolën nga vendi i Egjiptit, simbas formacioneve të tyre, nën udhëheqjen e Moisiut dhe të Aaronit.

Moisiu shënoi me shkrim vendet e tyre të nisjes, për çdo etapë, sipas urdhrave të Zotit; dhe këto janë etapat e tyre, në bazë të vendnisjeve të tyre.

U nisën nga Ramesesi në muajin e parë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të parë. Një ditë pas Pashkës bijtë e Izraelit u nisën me plot vetëbesim, para syve të të gjithë Egjiptasve,

ndërsa Egjiptasit varrosnin tërë të parëlindurit e tyre që Zoti kishte goditur midis tyre. Zoti kishte zbatuar gjykimin e tij edhe mbi perënditë e tyre.

Kështu, pra, bijtë e Izraelit u nisën nga Ramesesi dhe e ngritën kampin e tyre në Sukoth.

U nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, që ndodhet në skaj të shkretëtirës.

U nisën nga Ethami dhe u kthyen në drejtim të Pi-Hahirothit që ndodhet përballë Baal-Tsefonit, dhe e ngritën kampin përpara Migdolit.

U nisën nga Hahirothi, kaluan detin në drejtim të shkretëtirës, ecën tri ditë në shkretëtirën e Ethamit dhe e ngritën kampin e tyre në Mara.

U nisën nga Mara dhe arritën në Elim; në Elim kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe fushuan aty.

10 U nisën nga Elimi dhe fushuan pranë Detit të Kuq.

11 U nisën nga Deti i Kuq dhe fushuan në shkretëtirën e Sinit.

12 U nisën nga shkretëtira e Sinit dhe ngritën kampin e tyre në Dofkah.

13 U nisën nga Dofkahu dhe fushuan në Alush.

14 U nisën nga Alushi dhe e ngritën kampin e tyre në Refidim, ku nuk kishte ujë për të pirë për popullin.

15 U nisën nga Refidimi dhe fushuan në shkretëtirën e Sinait.

16 U nisën nga shkretëtira e Sinait dhe u vendosën në Kibroth-Hataavah.

17 U nisën nga Kibroth-Hataavahu dhe fushuan në Hatseroth.

18 U nisën nga Hatserothi dhe fushuan në Rithmah.

19 U nisën nga Rithmahu dhe fushuan në Rimon-Perets.

20 U nisën nga Rimon-Peretsi dhe fushuan në Libnah.

21 U nisën nga Libnahu dhe fushuan në Risah.

22 U nisën nga Risahu dhe fushuan në Kehelathah.

23 U nisën nga Kehelathahu dhe fushuan në malin Shefer.

24 U nisën nga mali Shefer dhe fushuan në Haradah.

25 U nisën nga mali i Haradahut dhe fushuan në Makeloth.

26 U nisën nga Makelothi dhe fushuan në Tahath.

27 U nisën nga Tahahu dhe fushuan në Terah.

28 U nisën nga Terahu dhe fushuan në Mithkah.

29 U nisën nga Mithkahu dhe fushuan në Hashmonah.

30 U nisën nga Hashmonahu dhe fushuan në Mozeroth.

31 U nisën nga Mozerothi dhe fushuan nga Bene-Jaakan.

32 U nisën nga Bene-Jaakani dhe fushuan në Hor-Hagidgad.

33 U nisën nga Hor-Hagidgadi dhe fushuan në Jotbathah.

34 U nisën nga Jotbathahu dhe fushuan në Abronah.

35 U nisën nga Abronahu dhe fushuan në Etsion-Geber.

36 U nisën nga Etsion-Geberi dhe fushuan në shkretëtirën e Sinit, domethënë në Kadesh.

37 Pastaj u nisën nga Kadeshi dhe fushuan në malin Hor, në kufi të vendit të Edomit.

38 Pastaj prifti Aaron u ngjit në malin Hor me urdhër të Zotit dhe vdiq aty në vitin e dyzetë prej kohës kur bijtë e Izraelit kishin dalë nga vendi i Egjiptit, ditën e parë të muajit të pestë.

39 Aaroni ishte njëqind e njëzet e tre vjeç kur vdiq në malin Hor.

40 Mbreti i Aradit, Kananeu, që banonte në Negev, në vendin e Kanaanit, dëgjoi se arritën bijtë e Izraelit.

41 Kështu ata u nisën nga mali Hor dhe fushuan në Tsalmonah.

42 U nisën nga Tsalmonahu dhe fushuan në Punon.

43 U nisën nga Punoni dhe fushuan në Oboth.

44 U nisën nga Obothi dhe fushuan në Ije-Abarim, në kufi me Moabin.

45 U nisën nga Ije-Abarimi dhe fushuan në Dibon-Gad.

46 U nisën nga Dibon-Gadi dhe fushuan në Almon-Diblathaim.

47 U nisën nga Almon-Diblathaimi dhe fushuan në malet e Abarimit, përballë Nebit.

48 U nisën nga malet e Abarimit dhe fushuan në fushat e Moabit, pranë Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos.

49 Fushuan pranë Jordanit, nga Beth-Jeshimoth deri në Abel-Shitim, në fushat e Moabit.

50 Pastaj Zoti i foli Moisiut, në fushat e Moabit, pranë Jordanit mbi bregun përballë Jerikos, dhe i tha:

51 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin, për të hyrë në vendin e Kanaanit,

52 do të dëboni të gjithë banorët e vendit, do të shkatërroni të gjitha figurat e tyre dhe të tëra statujat e tyre prej metali të shkrirë, do të rrënoni të gjitha vendet e larta të tyre.

53 Do ta shtini në dorë vendin dhe do të vendoseni në të, sepse jua kam dhënë në pronësi.

54 Do ta ndani me short vendin, simbas familjeve tuaja. Familjeve më të mëdha do t’u jepni një pjesë më të madhe, dhe më të voglave një pjesë më të vogël. Secili do të marrë atë që do t’i bjerë me short; ndarjet do të bëhen në bazë të fiseve të etërve tuaj.

55 Por në rast se nuk i dëboni banorët e vendit, ata që do të lini do të jenë si hala në sy dhe do t’ju shqetësojnë në vendin që do të banoni.

56 Dhe do të ndodhë që unë t’ju trajtoj ashtu siç kisha menduar t’i trajtoj ata".

Psalmet 78:1-37

78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.

Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.

Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,

nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.

Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,

me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,

dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;

dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.

Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,

10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,

11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.

12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.

13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.

14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.

15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.

16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.

17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,

18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?

21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,

22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.

23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.

29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.

30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,

31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.

32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.

33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.

34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.

35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.

36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.

37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.

Isaia 25

25 O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi.

Sepse e ke katandisur qytetin në një grumbull gurësh, qytetin e fortifikuar në një grumbull gërmadhash; kështjella e të huajve nuk është më një qytet, nuk do të rindërtohet kurrë më.

Prandaj populli i fuqishëm të lëvdon, qyteti i kombeve të fuqishëm ka frikë nga ti,

sepse ti ke qenë një kështjellë për të varfërin, një kështjellë për të mjerin në fatkeqësinë e tij, një strehë kundër stuhisë, një hije kundër të nxehtit, sepse fryma e tiranëve është si një furtunë kundër murit.

Ti do të pakësosh zhurmën e të huajve si të nxehtit në një vend të thatë; ashtu si të nxehtit nën hijen e një reje, kështu kënga e tiranëve do të detyrohet të heshtë.

Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.

Do të shkatërrojë mbi këtë mal mbulesën që mbulonte tërë popujt, po kështu edhe mbulesën e shtrirë mbi të gjitha kombet.

Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.

Atë ditë do të thuhet: "Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!".

10 Me qenë se dora e Zotit do të shtrihet mbi këtë mal, ndërsa Moabi do të shkelet nën të ashtu si shkelet kashta mbi plehun.

11 Ai do të zgjasë duart e tij në mes teje, ashtu si i shtrin notari për të notuar, dhe do të ulë krenarinë e tij bashkë me trillimet e kurdisura nga duart e tij.

12 Fortesën e mureve të tua të larta, ai do ta shkatërrojë, do ta shembë, do ta hedhë për tokë deri poshtë në pluhur.

1 Gjonit 3

Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.

Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.

Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.

Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.

Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.

Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.

Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.

Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.

Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.

10 Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet.

11 Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,

12 jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.

13 Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.

14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.

15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.

16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.

19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij;

20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.

21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;

22 dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.

23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.

24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.