Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Psalmet 35

35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".

Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

Ligji i Përtërirë 5:1-22

Moisiu mblodhi tërë Izraelin dhe i tha: "Dëgjo, Izrael, statutet dhe dekretet që unë shpall sot në veshët e tu me qëllim që ti t’i mësosh dhe të zotohesh t’i zbatosh.

Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb.

Zoti e lidhi këtë besëlidhje jo me etërit tanë, por me ne që jemi këtu të gjithë të gjallë.

Zoti ju foli në sy në mal, nga mesi i zjarrit.

Unë ndodhesha atëherë midis Zotit dhe jush për t’ju referuar fjalën e tij, sepse ju patët frikë nga zjarri dhe nuk u ngjitët në mal. Ai tha:

"Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje.

Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.

Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t’u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

10 por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.

11 Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.

12 Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.

13 Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,

14 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.

15 Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.

16 Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

17 Nuk do të vrasësh.

18 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

19 Nuk do të vjedhësh.

20 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

21 Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd, as arën, as shërbëtorin, as shërbëtoren, as kaun, as gomarin dhe asnjë send që janë pronë e tij".

22 Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.

2 e Korintasve 4:1-12

Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra.

Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.

Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin,

të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.

Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit,

sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë,” është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.

Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar;

jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;

10 kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11 Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

12 Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.

Luka 16:10-18

10 Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.

11 Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t’ju besojë pasuritë e vërteta?

12 Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t’ju japë tuajën?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.”

14 Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin.

15 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë.

16 Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.

17 Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.

18 Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën.”