Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 89

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.

Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.

Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.

10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.

11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.

12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.

13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.

14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.

15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;

16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.

17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.

18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.

20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.

21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.

22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.

24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.

25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.

26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".

27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.

28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.

29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.

30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,

31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,

32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,

33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.

34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.

35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;

36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,

37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)

38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.

39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.

40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.

41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.

42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.

43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.

44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.

45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)

46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?

47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?

48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)

49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?

50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,

51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.

52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!

Ezekieli 4

"Ti bir njeriu, merr një pllakë të vogël argjile, vëre para teje dhe vizato mbi të një qytet, Jeruzalemin:

rrethoje, ndërto kundër tij një kullë, lartëso kundër asaj disa ledhe, vendos kundër saj fushime dhe disa desh rreth e qark.

Pastaj merr një pllakë hekuri dhe vendose si një mur hekuri midis teje dhe qytetit; kthe fytyrën tënde përballë tij dhe ai do të jetë i rrethuar dhe ti do ta rrethosh. Kjo do të jetë një shenjë për shtëpinë e Izraelit.

Shtrihu pastaj mbi krahun e majtë dhe vendos mbi të paudhësinë e shtëpisë së Izraelit. Për numrin e ditëve gjatë të cilave do të rrish shtrirë mbi të, do të mbash paudhësinë e tyre.

Në fakt unë kam vënë mbi ty vitet e paudhësisë së tyre në bazë të numrit të ditëve gjatë të cilave ti do të rrish shtrirë, treqind e nëntëdhjet ditë. Kështu ti do të mbash paudhësinë e shtëpisë së Izraelit.

Me ti mbaruar këto, do të shtrihesh përsëri në krahun tënd të djathtë dhe do ta mbash paudhësinë e shtëpisë së Judës për dyzet ditë. Kam vënë mbi ty një ditë për çdo vit.

Ti do ta kthesh fytyrën tënde dhe krahun tënd të zhveshur në drejtim të rrethimit të Jeruzalemit dhe do të profetizohesh kundër tij.

Dhe ja, po të vë litarë mbi trup në mënyrë që ti të mos kthehesh nga një krah në tjetrin, deri sa të kesh plotësuar ditët e rrethimit tënd.

Merr edhe grurë, elb, bathë, thjerëza, mel dhe grurë të fortë, vëri në një enë dhe u bëj bukë; të cilën do ta hash gjatë tërë ditëve që do të rrish shtrirë mbi krahun tënd, domethënë për treqind e nëntëdhjetë ditë.

10 Ushqimi që do të hash do të ketë një peshë prej njëzet siklash në ditë; do ta hash në çaste të caktuara, çdo ditë.

11 Edhe ujin do ta pish të racionuar: një të gjashtën e një hini; do ta pish në çaste të caktuara çdo ditë.

12 Do ta hash këtë bukë në formë kuleçësh prej elbi që do ti pjekësh me jashtëqitje njerëzish përpara syve të tyre".

13 Pastaj Zoti tha: "Kështu bijtë e Izraelit do të hanë bukën e tyre të ndotur në mes të kombeve ndër të cilët do ti shpërndaj".

14 Atëherë unë thashë: "O, Zot, Zot, unë nuk jam ndotur kurrë; qysh në fëmijëri e deri më sot nuk kam ngrënë kurrë mish kafshe të ngordhur në mënyrë natyrale ose të shqyer dhe nuk më ka hyrë në gojë asnjë mish i papastër.

15 Atëherë ai më tha: "Ja unë po të jap bajga lopësh në vend të jashtëqitjeve të njeriut; mbi to do të pjekësh bukën tënde".

16 Pastaj më tha: "Bir njeriu, unë do të bëj të mungojë baza e bukës në Jeruzalem; ata do ta hanë bukën me peshë dhe në hidhërim dhe do të pijnë ujin e racionuar në tmerr,

17 sepse do t’u mungojë buka dhe uji dhe do të shikojnë njeri tjetrin të tmerruar, duke u shkrirë në paudhësinë e tyre".

Hebrenjve 6:1-12

Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,

nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;

dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,

dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,

dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;

kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t’u djegur.

Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;

10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.

11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,

12 që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.

Luka 9:51-62

51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,

52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t’i përgatitur ardhjen.

53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.

54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: “Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?.”

55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar.” Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: “Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh.”

58 Por Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”

59 Pastaj i tha një tjetri: “Ndiqmë!.” Por ai përgjigjej: “Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim.”

60 Jezusi i tha: “Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.”

61 Akoma një tjetër i tha: “Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime.”

62 Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”