Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 26

26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.

Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.

Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.

Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.

Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,

për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.

O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.

Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,

10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.

11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.

12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.

Psalmet 28

28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

Psalmet 36

36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.

Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.

Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".

O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.

Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;

ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.

Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.

10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.

11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.

12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.

Psalmet 39

39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".

Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.

Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:

"O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.

Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)

Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!

Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.

Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.

Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.

10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.

11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)

12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.

13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".

Ligji i Përtërirë 4:15-24

15 Me qenë, pra se nuk patë asnjë figurë ditën që Zoti ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, tregoni kujdes të veçantë për shpirtërat tuaja,

16 me qëllim që të mos shthureni dhe të mos gdhendni ndonjë shëmbëlltyrë, në trajtën e ndonjë figure: paraqitjen e një burri apo të një gruaje,

17 paraqitjen e një kafshe që është mbi tokë, paraqitjen e një zogu që fluturon në qiell,

18 paraqitjen e çdo gjëje që zvarritet mbi dhe, paraqitjen e një peshku që noton në ujërat poshtë tokës;

19 sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t’u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë;

20 por Zoti ju mori dhe ju nxori nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot.

21 Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj, dhe u betua që nuk do ta kaloja Jordanin dhe nuk do të hyja në vendin e mirë që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

22 Kështu unë do të vdes në këtë vend pa kaluar Jordanin; ju do ta kaloni dhe do të shtini në dorë atë vend të mirë.

23 Ruhuni se harroni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ka lidhur me ju, dhe bëni ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur në trajtën e çfarëdo gjëje që Zoti, Perëndia yt, e ka ndaluar.

24 Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.

2 e Korintasve 1:12-22

12 Mburrja jonë, në fakt, është kjo: dëshmimi i ndërgjegjes sonë se ne jemi sjellë me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perën-disë në botë dhe sidomos përpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Perëndisë.

13 Sepse ne nuk ju shkruajmë të tjera gjëra, përveç atyre që ju mund të lexoni dhe të kuptoni; dhe unë shpresoj se do t’i kuptoni deri në fund;

14 sikurse i keni kuptuar tanimë deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do të jeni mburrja jonë, në ditën e Jezu Krishtit.

15 Dhe me këtë siguri unë doja të vija te ju më përpara që të kishit një vepër të mirë të dytë,

16 dhe, nga ju të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju dhe ju të më përcillnit në Jude.

17 Kur mora këtë vendim, vallë mos kam vepruar me mendjelehtësi? Apo ato që unë vendos, i vendos sipas mishit, që të jetë tek unë po, po dhe jo, jo?

18 Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo.

19 Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë "po" dhe "jo," por ka qenë poo" në atë.

20 Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë "po" dhe në atë amen,," për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.

21 Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia,

22 i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.

Luka 15:1-10

15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”

Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..

Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.

Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".

10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.”