Book of Common Prayer
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
16 Në mbarim të shtatë ditëve ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
17 "Bir njeriu, të kam caktuar si roje për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t’i lajmërosh nga ana ime.
18 Në rast se unë i them të pabesit: "Me siguri ke për të vdekur," dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij.
19 Por në qoftë se ti e lajmëron të pabesin dhe ai nuk heq dorë nga pabesia e tij dhe nga jeta e tij e keqe, ai do të vdesë në paudhësinë e tij, por ti do ta kesh shpëtuar shpirtin tënd.
20 Por në qoftë se më pas një njeri i drejtë heq dorë nga ndershmëria e tij dhe kryen paudhësi, unë do ti vë një pengesë përpara dhe ai do të vdesë; sepse ti nuk e ke lajmëruar dhe ai do të vdesë në mëkatin e tij, dhe gjërat e drejta që ai ka bërë, nuk do të kujtohen më, por unë do t’i kërkoj llogari dorës sate për gjakun e tij.
21 Por në rast se ti njofton të drejtin që të mos mëkatojë dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë sepse u paralajmërua, dhe ti do të kesh shpëtuar shpirtin tënd".
22 Atje, pra, ishte dora e Zotit mbi mua dhe më tha: "Ngrihu, dil në fushë dhe atje unë do të flas".
23 Kështu u çova dhe dola në fushë, dhe atje ishte lavdia e Zotit, ashtu si lavdia që kisha parë pranë lumit Kebar, dhe unë rashë mbi fytyrë.
24 Por Fryma hyri te unë, më bëri të çohem më këmbë dhe më foli duke thënë: Shko, mbyllu në shtëpinë tënde..
25 Dhe ja, o bir njeriu, ty do të vihet litarë, me ato do të lidhin dhe kështu nuk do të kesh mundësi të dalësh në mes tyre.
26 Unë do të bëj që gjuha jote të ngjitet në qiellzën tënde dhe do të mbetesh memec, kështu nuk do të jesh më për ta dikush që i qorton, sepse janë një shtëpi rebele.
27 Por kur do të të flas, do të të hapë gojën dhe ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zotii". Ai që do të dëgjojë le të dëgjojë; dhe ai që refuzon të dëgjojë, le të refuzojë, sepse janë një shtëpi rebele".
2 Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,
2 në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,
3 ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.
4 Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,
5 edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),
6 edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,
7 për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.
8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,
9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.
10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.
24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!
26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.
27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.
28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.
29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.
30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.
31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.
32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.
33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”
40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”