Book of Common Prayer
87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)
7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;
19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
4 Më tha akoma: "O bir njeriu, nisu, shko në shtëpinë e Izraelit, u trego atyre fjalët e mia,
5 sepse nuk je dërguar te një popull me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, por në shtëpinë e Izraelit,
6 jo te shumë popuj me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, fjalët e të cilëve ti nuk i kupton. Me siguri, po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar.
7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua. Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.
8 Ja, unë e bëra fytyrën tënde të fortë kundër fytyrës së tyre dhe e bëra ballin tënd të fortë kundër ballit të tyre.
9 Unë e bëra ballin tënd si një diamant, më të fortë se stralli; mos ki frikë prej tyre, mos u tremb nga ata, sepse janë një shtëpi rebele".
10 Pastaj më tha: "Bir njeriu, prano në zemrën tënde tërë fjalët që do të të them dhe dëgjoji me veshët e tua.
11 Dhe nisu, shko te ata që janë në robëri, te bijtë e popullit tënd, folu dhe u thuaj: "Kështu thotë Zoti, Zoti," edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të të dëgjojnë".
12 Pastaj Fryma më ngriti dhe dëgjova prapa meje zhurmën e një potereje të madhe që thoshte: "E bekuar qoftë lavdia e Zotit nga banesa e tij!".
13 Dëgjova gjithashtu zhurmën e krahëve të qenieve të gjalla që përplaseshin njëra kundrejt tjetrës, zhurmën e rrotave pranë tyre dhe zhurmën e një potereje të madhe.
14 Kështu Fryma më ngriti dhe më mori me vete; dhe unë shkova plot trishtim me indinjatën e frymës time; por dora e Zotit ishte e fortë mbi mua.
15 Kështu arrita te ata që ishin në robëri në Tel-abib pranë lumit Kebar dhe u ndala atje ku ata banonin, qëndrova i hutuar shtatë ditë në mes tyre.
16 Në mbarim të shtatë ditëve ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
17 "Bir njeriu, të kam caktuar si roje për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t’i lajmërosh nga ana ime.
7 I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
8 Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,
9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,
10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekut,
11 për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t’u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar.
12 Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta.
13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë;
14 kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.
37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.
38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: “Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.
39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.
40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur.”
41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj? Sille këtu djalin tënd.”
42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.
43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:
44 “I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve.”
45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë.
46 Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.
47 Atëherë Jezusi, duke ditur ç’mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes,
48 dhe u tha atyre: “Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh.”
49 Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: “Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne.”
50 Por Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne.”