Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 102

102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.

Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.

Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.

Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.

Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.

I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.

Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.

Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.

Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.

10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.

11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.

13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.

14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.

15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.

17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.

18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,

19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,

20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;

21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,

22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.

23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.

25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;

26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.

27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.

28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".

Psalmet 107:1-32

107 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,

dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.

Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.

Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.

Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;

dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.

Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.

Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.

10 Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira,

11 sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit;

12 prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.

13 Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre,

14 i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre.

15 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve,

16 sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri.

17 Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;

18 ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,

19 por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.

20 Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.

21 Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;

22 le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.

23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,

24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.

25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.

26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.

27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.

28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.

29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.

30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.

31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;

32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.

Ezekieli 34:17-31

17 Sa për ju, o delet e mia," kështu thotë Zoti, Zoti, "ja, unë do të gjykoj midis dele e dele, midis deshëve dhe cjepve.

18 Ju duket gjë e vogël të kullotësh në një kullotë të mirë dhe pastaj të shkelësh me këmbë atë që mbetet nga kullota juaj, ose të pish ujra të pastra dhe pastaj të turbullosh me këmbë atë që mbetet?

19 Kështu delet e mia duhet të hanë atë që kanë shkelur këmbët tuaja dhe duhet të pijnë atë që kanë turbulluar këmbët tuaja".

20 Prandaj kështu u thotë atyre Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të gjykoj midis deles së dhjamur dhe deles së dobët.

21 Duke qenë se ju keni shtyrë me ijë dhe me shpatull dhe u keni rënë me brirë të gjitha deleve të dobëta deri sa i shpërndatë rreth e rrotull,

22 unë do t’i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të bëhen më pre, dhe do të gjykoj midis dele e dele.

23 Do të vendos mbi to një bari të vetëm që do t’i kullosë, shërbëtorin tim David. Ai do t’i kullosë dhe ka për të qenë bariu i tyre.

24 Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre dhe shërbëtori im Davidi do të jetë princ në mes tyre. Unë, Zoti, fola.

25 Do të vendos me to një besëlidhje paqeje dhe do të zhduk nga vendi kafshët e liga, kështu ato do të mund të rrinë të sigurta në shkretëtirë dhe të flenë nëpër pyje.

26 Dhe do t’ua bëj të bekura vendet rreth kodrës sime; do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur, dhe do të jenë shira bekimi.

27 Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të këpus shufrat e zgjedhës së tyre dhe do t’i çliroj nga dora e atyre që i mbanin në skllavëri.

28 Dhe nuk do të jenë më pre e kombeve as do t’i hanë më bishat e fushës, por do të qëndrojnë të sigurta dhe askush nuk ka për t’i trembur.

29 Do ta bëj që të mbijë për ta një kopësht me famë të madhe; nuk do të konsumohen më nga uria në vend dhe nuk do të mbajnë më turpin e kombeve.

30 Kështu ata do të pranojnë që unë, Zoti, Perëndia i tyre, jam me ta, dhe që ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im," thotë Zoti, Zoti.

31 "Ju jeni delet e mia, delet e kullotës sime; jeni njerëz dhe unë jam Perëndia juaj," thotë Zoti.

Hebrenjve 8

Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt,

shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.

Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë.

Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit,

që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko,” tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal.”

Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira,

sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër.

Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,

jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti.

10 Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.

11 Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre,

12 sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.”

13 Duke thënë "një besëlidhje e re," ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.

Luka 10:38-42

38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.

40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”

41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;

42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”