Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 105

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Ezekieli 18:1-4

18 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"?

Ashtu si është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael.

Ja, të gjithë shpirtërat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.

Ezekieli 18:19-32

19 Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.

20 Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.

21 Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.

22 Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t’i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton.

23 A ndjej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?," thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?

24 Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre.

25 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?

26 Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer.

27 Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij.

28 Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur.

29 Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?

30 Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi.

31 Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit?

32 Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".

Hebrenjve 7:18-28

18 Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,

19 sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.

20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,

21 (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”).

22 Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.

23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë,

24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,

25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,

27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.

28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.

Luka 10:25-37

25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”

27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”

28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”

29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”

30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".

36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”

37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”