Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 45

45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.

Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.

Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,

dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.

Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.

Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.

Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.

Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.

Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.

10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,

11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.

12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.

13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.

14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.

15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.

16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.

17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.

Psalmet 47-48

47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.

Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.

Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)

Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.

Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!

Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.

Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.

Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.

Ligji i Përtërirë 12:1-12

12 "Këto janë statutet dhe dekretet që duhet të keni kujdes të respektoni në vendin që Zoti, Perëndia i etërve të tu, të ka dhënë si trashëgimi për të gjitha ditët që do të jetoni mbi tokë.

Do të shkatërroni tërësisht të gjitha vendet ku kombet që jetoni duke përzënë u shërbejnë perëndive të tyre; mbi malet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë që gjelbëron.

Do të rrënoni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do t’u vini flakën Asherimëve të tyre, do të rrëzoni shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të tyre, do të zhdukni emrin e tyre nga këto vende.

Nuk do të veproni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj,

por do ta kërkoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë midis tërë fiseve tuaj, për t’iu vënë emrin e tij si banesë e tij; dhe aty do të shkoni;

aty do të çoni olokaustet dhe flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja, ofertat tuaja të kushtimit dhe ofertat vullnetare, si dhe të parëlindurit e bagëtive të trasha dhe të imta;

dhe aty do të hani përpara Zotit, Perëndisë tuaj, dhe do të gëzoheni, ju dhe familjet tuaja, për të gjitha ato që keni shtënë në dorë dhe për të cilat Zoti, Perëndia juaj, do t’ju bekojë.

Nuk do të veproni ashtu siç veprojmë sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij,

sepse nuk keni hyrë akoma në pushimin dhe në trashëgiminë që Zoti, Perëndia juaj, ju jep.

10 Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t’ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.

11 Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: olokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.

12 Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Prëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe Leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.

2 e Korintasve 6:3-7:1

Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;

por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,

në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,

me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,

me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,

në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;

si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;

10 si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.

11 Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë.

12 Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj.

13 Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju.

14 Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin?

15 Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?

16 Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.”

17 Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj,

18 dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”

Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë.

Luka 17:11-19

11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,

13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”

14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.

17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?.”

19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”