Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

Ligji i Përtërirë 29:2-15

Moisiu thirri tërë Izraelin dhe u tha atyre: "Ju keni parë të gjitha ato që i ka bërë Zoti në Egjipt para syve tuaj Faraonit, të gjithë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit;

sytë tuaj kanë parë mjerimet e mëdha, shenjat dhe mrekullitë e mëdha;

por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Unë ju kam udhëhequr dyzet vjet në shkretëtirë; rrobat tuaja nuk ju janë prishur në trup, sandalet tuaja nuk iu janë konsumuar në këmbët tuaja.

Nuk keni ngrënë bukë dhe nuk keni pirë verë as pije dehëse, me qëllim që të njihnit që unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Kur arritët në këtë vend, Sihoni, mbret i Heshbonit, dhe Ogu, mbret i Bashanit, dolën kundër nesh për të luftuar, por ne i mundëm,

pushtuam vendin e tyre dhe ia dhamë në trashëgimi Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.

Respektoni, pra, fjalët e kësaj besëlidhje dhe zbatojeni në praktikë, me qëllim që të keni mbarësi në çdo gjë që bëni.

10 Sot të gjithë ju ndodheni para Zotit, Perëndisë tuaj: krerët tuaj, fiset tuaja, pleqtë tuaj, zyrtarët tuaj, tërë njerëzit e Izraelit,

11 fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe i huaji që ndodhet në mes të kampit tënd, duke filluar nga ai që çan drutë deri tek ai që nxjerr ujin tënd,

12 për të hyrë në besëlidhjen e Zotit, Perëndisë tënd, dhe në betimin e tij që Zoti, Perëndia yt, bën sot me ty,

13 për të të vendosur sot si popull të tij dhe për të qënë Perëndia yt, ashtu si të tha dhe si iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.

14 Unë e bëj këtë besëlidhje dhe këtë betim jo vetëm me ju,

15 por edhe me ata që janë sot para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që sot nuk janë këtu me ne.

2 e Korintasve 9

Sa për shërbesën në dobi të shenjtorëve, është e tepërt t’ju shkruaj,

sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te Maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë.

Unë i dërgova këta vëllezër, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë për këtë gjë dhe me qëllim, sikurse thoja, të jeni gati,

sepse, po të vinin me mua disa Maqedonas dhe të mos ju gjenin gati, ne (të mos them ju), do të dilnim të turpëruar për besimin dhe mburrjen tonë.

Prandaj m’u duk e nevojshme t’i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo kopracie.

Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.

Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.

Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,

sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi.”

10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;

11 dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë.

12 Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë,

13 sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë.

14 Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju.

15 Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.

Luka 18:15-30

15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.

16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje.”

18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?.”

19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde".”

21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.”

22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.”

23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?.”

27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë.”

28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”

29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,

30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme.”