Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 40

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Psalmet 54

54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.

O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.

Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)

Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.

Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.

Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;

sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.

Psalmet 51

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

Ligji i Përtërirë 26:1-11

26 "Kur të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, dhe ta shtiesh në dorë dhe të banosh në të,

do të marrësh disa nga prodhimet e para të të gjitha prodhimeve të tokës të mbledhura nga ti në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, do t’i vësh në një shportë dhe do të shkosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

Pastaj do t’i paraqitesh priftit në funksion ato ditë dhe do t’i thuash: Unë i deklaroj sot Zotit, Perëndisë tënd, që kam hyrë në vendin që Zoti uu betua t’u japë etërve tanë".

Atëherë prifti do të marrë shportën nga duart e tua dhe do ta vërë përpara altarit të Zotit, Perëndisë tënd;

dhe ti do të përgjigjesh duke thënë para Zotit, Perëndisë tënd: "Ati im ishte një Arameo para se të vdesë; ai zbriti në Egjipt dhe banoi aty si i huaj me pak njerëz; aty u bë një komb i madh, i fuqishëm dhe i shumtë.

Por Egjiptasit na trajtuan keq, na shtypën dhe na imponuan një skllavëri të rëndë.

Atëherë bërtitëm dhe Zoti, Perëndia i etërve tanë, e dëgjoi zërin tonë, pa dëshpërimin tonë, punën tonë të rëndë dhe shtypjen tonë.

Kështu Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë, me gjëra të tmerrshme e me mrekulli dhe me shenja;

pastaj na solli këtu dhe na dha këtë vend, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

10 Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!". Do t’i vendosësh para Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të biesh përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd;

11 dhe do të gëzoheni, ti, Leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.

2 e Korintasve 8:16-24

16 Le ta falënderojmë Perëndinë, që i shtiu në zemër Titit po atë kujdes për ju,

17 sepse ai jo vetëm që e pranoi këshillën tonë, por u nis për të ardhur te ju, me dëshirën e tij dhe me shumë zell.

18 Edhe bashkë me të dërguam edhe vë-llanë, lëvdimi i të cilit për predikimin e ungjillit u përhap në të gjitha kishat,

19 dhe jo vetëm kaq, por ai u zgjodh nga kishat që të jetë shoku ynë në udhëtim me këtë dhuratë që ne administrojmë për lavdinë e Zotit vetë, për të treguar gatishmërinë e zemrës suaj,

20 duke shmangur qortimin e ndonjërit në këtë dhuratë bujare që administrohet prej nesh,

21 sepse kujdesemi të veprojmë mirë jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve.

22 Edhe ne dërguam bashkë me ta vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në sprovë shumë herë në shumë gjëra dhe doli i zellshëm, por tani është edhe më i zellshëm për shkak të besimit të madh që ka ndaj jush.

23 Sa për Titin, ai është bashkëpunëtori im dhe shok i veprës midis jush; sa për vëllezërit, ata janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit.

24 U tregoni atyre provën e dashurisë suaj dhe pse mburremi me ju edhe përpara kishave.

Luka 18:9-14

Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.

10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”