Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:49-72

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.

60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.

62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.

63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.

64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.

65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

Psalmet 49

49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

Psalmet 53

53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.

Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.

Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?

Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.

Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

Ligji i Përtërirë 13:1-11

13 "Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli,

dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t’uu shërbejmë,"

ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.

Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t’ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t’ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt.

Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t’u shërbejmë perëndive të tjera," që as ti, as etrit e tu nuk i keni njohur kurrë,

hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës,

mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.

Por ti duhet ta vrasësh; dora jote të jetë e para që të ngrihet kundër tij, për ta vrarë; pastaj le të vijë dora e gjithë popullit.

10 Ti do ta vrasësh me gurë dhe ai do të vdesë, sepse ka kërkuar të të largojë nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.

11 Kështu tërë Izraeli do ta dëgjojë këtë ngjarje dhe do të ketë frikë, e nuk ka për të kryer më asnjë veprim të keq si ky në gjirin tënd.

2 e Korintasve 7:2-16

Na pranoni; ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt.

Këtë nuk e them për dënim, sepse që më parë iu thashë se jeni në zemrat tona për të vdekur bashkë dhe për të jetuar bashkë.

Jam shumë i hapur me ju dhe kam me se të mburrem për ju; jam plot me ngushullim dhe jam jashtë mase i gëzuar në gjithë shtrëngimin tonë.

Sepse, kur erdhëm në Maqedoni, mishi ynë nuk pati fare prehje, por u shtrënguam në të gjitha mënyrat: jashtë betejë, përbrenda frikë.

Por Perëndia, që ngushëllon të pikë-lluarit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit,

dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që ai pati prej jush; ai na tregoi dëshirën tuaj të madhe, lotët tuaja, zellin tuaj për mua, kaq sa u gëzova më tepër,

sepse, ndonëse edhe ju kam trishtuar me letrën time, nuk më vjen keq, ndonëse më pati ardhur keq, sepse shoh se ajo letër, edhe pse për pak kohë, ju trishtoi.

Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne.

10 Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje.

11 Në fakt, ja sa kujdes shkaktoi te ju pikëllimi sipas Perëndisë, madje sa fjalë për të kërkuar ndjesë, sa zemëratë, sa druajtje, sa dëshirë të zjarrtë, sa zell, sa kënaqësi! Me çdo mënyrë ju e treguat se jeni të pastër në këtë çështje.

12 Edhe pse ju shkrova, nuk e bëra as për atë që e bëri padrejtësinë, as për atë që e pësoi, por që të shfaqet në mes tuaj kujdesi ynë që kemi për ju përpara Perëndisë.

13 Prandaj ne u ngushëlluam për shkak të ngushëllimit tuaj dhe u gëzuam aq më tepër për gëzimin e Titit, sepse fryma e tij u shlodh nga ju të gjithë.

14 Prandaj, në qoftë se u mburra për ndonjë gjë tek ai për ju, nuk u turpërova por, ashtu si ju kemi treguar të gjitha gjërat me vërtetësi, kështu edhe mburrja jonë te Titi doli e vërtetë.

15 Dhe ai ka një dashuri të madhe për ju, kur kujton bindjen e ju të gjithëve dhe si e pritët atë me frikë dhe me të dridhura.

16 Gëzohem, pra, që në çdo gjë mund të besoj në ju.

Luka 17:20-37

20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu," ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”

22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23 Dhe do t’ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje," por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.

30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.

31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.

32 Kujtoni gruan e Lotit.

33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.

34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.

36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet.”

37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?” Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.”