Book of Common Prayer
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
12 Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.
13 Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.
14 Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç’kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t’i treguar Elit atë që kishte ndodhur.
15 Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.
16 Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".
17 Atëherë lajmëtari u përgjegj dhe tha: "Iezraeli ia mbathi përpara Filistejve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".
18 Sa u zu në gojë arka e Perëndisë, Eli ra nga ndenjësja prapa, përbri derës, theu qafën dhe vdiq, sepse ishte plak dhe i rënduar. Qe gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë.
19 E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte me barrë dhe në prag të lindjes; kur dëgjoi lajmin që arka e Perëndisë ishte kapur dhe vjehrri i saj dhe i shoqi kishin vdekur, u kërrus dhe lindi, sepse e zunë dhimbjet.
20 Në çastin kur ishte duke vdekur, gratë që kujdeseshin për të i thanë: Mos u tremb, sepse ke lindur një djalëë". Por ajo nuk u përgjegj dhe nuk u kushtoi vëmëndje fjalëve të tyre,
21 por ia vuri emrin Ikabod fëmijës, duke thënë: "Lavdia u largua nga Izraeli," sepse arka e Perëndisë ishte marr për shkak të vjehrrit të saj dhe të burrit të saj.
22 Ajo tha: "Lavdia është larguar nga Izraeli, sepse arka e Perëndisë është marr".
1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!
2 Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,
3 duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.
4 Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.
5 Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
6 Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.
7 Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,
8 sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.
9 Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,
10 dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.
11 Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.
12 Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.
13 Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndinë,” sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.
14 Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.
15 Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;
17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.
18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.
23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?.”
26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”
27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?.”
28 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”