Book of Common Prayer
56 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.
2 Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.
3 Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.
4 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?
5 Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.
6 Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën.
7 Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt.
8 Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?
9 Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.
10 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij.
11 Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?
12 Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj.
13 Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve.
57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.
2 Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.
3 Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.
4 Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.
5 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.
6 Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)
7 Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.
8 Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.
9 Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,
10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.
11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.
58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.
10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".
64 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.
2 Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.
3 Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura
4 për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.
5 I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t’i parë?".
6 Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.
7 Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.
8 Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t’i parë do të tundë kokën.
9 Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.
10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.
30 "Kështu, kur të të kenë rënë në kurriz tërë këto gjëra, bekimi dhe mallkimi që unë të kam vënë përpara, dhe ti do t’ua kujtosh të gjitha kombeve në mes të të cilëve Zoti, Perëndia yt, do të të ketë dëbuar,
2 dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t’i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot,
3 Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë.
4 Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej.
5 Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu.
6 Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.
7 Dhe Zoti, Perëndia yt, do t’i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar.
8 Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t’i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot.
9 Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu,
10 sepse do t’i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
10 Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush.
2 Ju lutem, që, kur të vij te ju, të mos jem i detyruar të veproj me guxim me atë siguri, me të cilin mendoj të guxoj kundër disave, që na konsiderojnë sikur ecim sipas mishit.
3 Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit,
4 sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat,
5 që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,
6 dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj.
7 A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.
8 Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.
9 Nuk dua të dukem se po kërkoj t’ju tremb me letrat e mia.
10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë.”
11 Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.
12 Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend.
13 Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju,
14 Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit.
15 Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë,
16 sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë.
17 Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin,
18 sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti.
31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.
32 Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.
33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”
34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.
35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;
36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;
37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.
38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”
39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua.”
40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti
41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?.” Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve.”
42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi.”
43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.