Book of Common Prayer
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.
24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,
27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.
28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
13 Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait.
14 Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë.
15 Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq.
16 Prandaj le të mos shahet e mira juaj,
17 sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.
18 Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.
19 Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit.
20 Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë.
21 Éshtë mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobëson.
22 A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton.
23 Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.
40 Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.
41 Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,
42 sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.
43 Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,
44 iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
45 Dhe Jezusi tha: “Kush më preku?.” Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: “Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?".”
46 Por Jezusi tha: “Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje.”
47 Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.
48 Dhe ai i tha: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!.”
49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin.”
50 Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: “Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë.”
51 Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.
52 Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: “Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle.”
53 Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
54 Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë, çohu!.”
55 Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t’i jepnin të hante.
56 Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç’kishte ndodhur.