Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 18

18 "Të dua, o Zot, forca ime.

Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.

Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.

Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.

Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.

Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.

Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.

Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.

Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;

10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.

11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.

14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.

15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.

16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.

17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.

18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,

19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.

20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,

21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,

22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.

23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.

25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.

26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,

27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;

28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,

29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.

30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.

31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?

32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.

33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;

34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.

35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.

37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.

38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;

40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.

41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.

42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.

43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.

45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.

46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!

47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;

48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.

49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.

50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".

1 i Mbretërve 3:16-28

16 Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.

17 Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.

18 Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.

19 Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.

20 Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.

21 Kur në mëngjes u ngrita për t’i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e kqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".

22 Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.

23 Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".

24 Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.

25 Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës".

26 Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!".

27 Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës".

28 Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.

Veprat e Apostujve 27:27-44

27 Kur erdhi nata e katërmbëdhjetë që po kalonim andej e këndej në detin Adriatik, aty nga mesnata detarët patën përshtypjen se po i afroheshin një toke.

28 Dhe, si hodhën matësin e thellësisë, gjetën njëzet pashë thellësi; pastaj, pak më tutje e hodhën përsëri matësin e thellësisë dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.

29 Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.

30 Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallen në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,

31 Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: “Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni.”

32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.

33 Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: “Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.

34 Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë.”

35 Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.

36 Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.

37 Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38 Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.

39 Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.

40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.

41 Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.

42 Ushtarët ishin të mendimit t’i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.

43 Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;

44 pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.

Marku 14:12-26

12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?.”

13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.

14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".

15 Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne.”

16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.

17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.

18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë.”

19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t’i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?.” Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?.”

20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.

21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!.”

22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im.”

23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.

24 Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.

25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.