Book of Common Prayer
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.
24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,
27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.
28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
17 Pastaj Samueli mblodhi popullin para Zotit në Mitspah,
18 dhe u tha bijve të Izraelit: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë e nxora Izraelin nga Egjipti dhe ju çlirova nga duart e Egjiptasve dhee nga duart e të gjitha mbretërve që ju shtypnin".
19 Por sot ju keni hedhur poshtë Perëndinë tuaj që ju ka shpëtuar nga fatkeqësitë dhe mundimet tuaja dhe i thoni: "Cakto një mbret mbi ne!". Prandaj paraqituni para Zotit sipas fiseve dhe sipas mijëshëve".
20 Pastaj Samueli afroi tërë fiset e Izraelit, dhe u zgjodh fisi i Beniaminit.
21 Pas kësaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e Matrit. Pastaj u zgjodh Sauli, bir i Kishit; e kërkuan, por nuk e gjetën.
22 Atëherë u këshilluan përsëri me Zotin: "A ndodhet tanimë këtu?". Zoti u përgjegj: "Ja ku është fshehur midis bagazheve".
23 Vrapuan ta nxjerrin që andej; kështu ai u paraqit para popullit, dhe ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart.
24 Pastaj Samueli i tha tërë popullit: "E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: "Rroftë mbreti!".
25 Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që vendosi përpara Zotit. Pas kësaj Samueli ktheu tërë popullin, secili shkoi në shtëpinë e tij.
26 Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.
27 Por disa njerëz që nuk vlenin asgjë thanë: "Si mund të na shpëtojë ky njeri?". Kështu e përçmuan dhe nuk i bënë asnjë dhuratë. Por ai nuk tha asnjë fjalë.
44 Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.
45 Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,
46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.
47 Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.
48 Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:
49 “Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?
50 A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?.”
51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.
52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!.”
54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,
56 dhe tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.”
57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;
58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.
59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje frymën time!.”
60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!.” Dhe, si tha këtë, fjeti.
8 Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.
52 Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: “Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
53 Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.”
54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me të.”
57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”
58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.” Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”
59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas.”
60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”
62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.