Book of Common Prayer
40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3 Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.
4 Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.
6 Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".
16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.
54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.
2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.
3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)
4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.
5 Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.
6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;
7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
31 Filistejtë u ndeshën me Izraelin dhe Izraelitët ua mbathën para Filistejve, dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.
2 Filistejtë ndoqën me furi Saulin dhe bijtë e tij; kështu Filistejtë vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuahun, bij të Saulit.
3 Beteja u ashpërsua kundër Saulit; harkëtarët e arritën dhe ai u plagos rëndë prej tyre.
4 Sauli i tha shërbëtorëve të tij: "Nxirre shpatën tënde dhe më shpo me të; të mos vinë këta të parrethprerë të më shpojnë dhe të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta kryejë këtë veprim, sepse e kishte zënë një frikë e madhe. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.
5 Kur shqyrtari pa se Sauli kishte vdekur, edhe ai u hosh mbi shpatën e vet dhe vdiq me të.
6 Kështu po atë ditë vdiqën bashkë Sauli, tre bijtë e tij, shqyrtari dhe tërë njerëzit e tij.
7 Kur Izraelitët që ndodheshin matanë luginës dhe matanë Jordanit panë që njerëzit e Izraelit ua kishin mbathur me vrap dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, braktisën qytetet dhe ua mbathën. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën aty.
8 Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe tre bijtë e tij të rënë në malin Gilboa.
9 I prenë kokën Saulit, e zhveshën nga armatimi i tij dhe dërguan lajmëtarë në tërë vendin e Filistejve për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit.
10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e Ashtarothit dhe e varën kufomën e tij në muret e Beth-Shanit.
11 Por kur banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,
12 tërë njerëzit trima u ngritën, ecën tërë natën dhe hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato.
13 Pastaj muarrën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë.
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: “Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t’i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t’u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga.”
21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.
22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,
23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!.”
24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.
25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh
26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,
27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,
28 sepse thoshte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem.”
29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.
30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: “Kush m’i preku rrobat?
31 Dhe dishepujt e vet i thanë: “A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: “Kush më preku?.”
32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.
33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç’i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.
34 Dhe ai i tha: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!.”
35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?.”
36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç’u tha, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!.”
37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.
38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.
39 Hyri dhe u tha atyre: “Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle.”
40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.
41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: “Talitha kumi,” që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, ty po të them: Çohu!.”
42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.
43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t’i japin vajzës të hajë.