Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:1-24

119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.

Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër

dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.

Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.

Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.

Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.

Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.

Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.

13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.

15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.

16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.

17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.

18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.

20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.

23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.

24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.

Psalmet 12-14

12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.

Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.

Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,

të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".

"Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.

Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.

13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?

Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?

Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,

dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.

Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;

unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

1 i Samuelit 16:1-13

16 Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij".

Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: Kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotitt".

Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë".

Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?".

Ai u përgjegj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim.

Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij".

Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën".

Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".

Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".

10 Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre".

11 Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".

12 Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është".

13 Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.

Veprat e Apostujve 10:1-16

10 Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik;

ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë.

Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: “Kornel!.”

dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: “Ç’është, Zot?.” Atëherë engjëlli i tha: “Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë;

tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër.

Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh.”

Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal,

u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jope.

Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.

10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;

11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,

12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.

13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”

14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”

15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”

16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.

Luka 24:12-35

12 Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.

13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

17 Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?.”

18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?.”

19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?.” Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.

22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë.”

25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?.”

27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?.”

33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.

34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.”

35 Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.