Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 120-127

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.

Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.

Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.

Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.

Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

1 i Samuelit 11

11 Pastaj Amoniti Nahash shkoi të ngrejë kampin kundër Jabeshit të Galaadit. Atëherë tërë ata të Jabeshit i thanë Nahashit: "Lidh aleancë me ne dhe ne do të të shërbejmë".

Amoniti Nahash iu përgjegj kështu: "Unë do të bëj aleancë me ju me këtë kusht: t’ju nxjerr syrin e djathtë të gjithëve për të poshtëruar tërë Izraelin.

Pleqtë e Jabeshit i thanë: "Na jep shtatë ditë kohë që të dërgojmë lajmëtarë në tërë territorin e Izraelit; dhe në qoftë se nuk vjen asnjeri për të na shpëtuar, do të dorëzohemi në duart e tua".

Kështu lajmëtarët arritën në Gibeah të Saulit dhe i njoftuan këto fjalë para popullit; atëherë tërë populli ngriti zërin dhe qau.

Ndërkaq Sauli po kthehej nga fshati pas qeve të tij. Dhe Sauli tha: Çfarë ka populli që qan??". I njoftoi atëherë fjalët e njerëzve të Jabeshit.

Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe.

Ai mori një pendë qesh, i preu qetë copë-copë dhe i dërgoi në të gjithë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, duke thënë: "Kështu do të trajtohen qetë, e atij që nuk do të ndjekë Saulin dhe Samuelin". Tmerri i Zotit zuri popullin dhe ai u ngrit si një njeri i vetëm.

Sauli i kaloi në revistë në Bezek, dhe ishin treqind mijë bij të Izraelit dhe tridhjetë mijë burra të Judës.

Pastaj u thanë lajmëtarëve që kishin ardhur: "Kështu do t’u thoni njerëzve të Jabeshit nga Galaadi: "Nesër, kur dielli të fillojë të ngrohë, do të çliroheni"". Lajmëtarët shkuan t’ua njoftojnë këtë njerëzve të Jabeshit, të cilët u gëzuan.

10 Atëherë njerëzit e Jabeshit u thanë Amonitëve: "Nesër do të vimë tek ju dhe do të bëni ç’të doni me ne".

11 Të nesërmen, Sauli e ndau popullin në tre grupe, të cilët hynë në mes të kampit armik para mëngjesit dhe i grinë Amonitët deri në zheg të ditës. Ata që shpëtuan u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë.

12 Populli i tha atëherë Samuelit: "Kush ka thënë: "A duhet të mbretërojë Sauli mbi ne?". Na i jepni këta njerëz dhe ne do t’i vrasim".

13 Por Sauli u përgjegj: "Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael".

14 Pastaj Samueli i tha popullit: "Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë".

15 Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.

Veprat e Apostujve 8:1-13

Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të.

Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg.

Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.

Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.

Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.

Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.

Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.

Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.

10 Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë.”

11 Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari.

12 Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.

13 Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.

Luka 22:63-71

63 Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.

64 Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: Profetizo, kush është ai që të ra??".

65 Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.

66 Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:

67 “Në se ti je Krishti, na e thuaj.” Por ai u tha atyre: “Edhe sikur t’jua thoja, nuk do ta besonit.

68 Edhe sikur t’ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.

69 Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë.”

70 Atëherë të gjithë thanë: “Je ti, pra, Biri i Perëndisë?.” Dhe ai u tha atyre: “Ju thoni se unë jam.”

71 Atëherë ata thanë: “Ç’nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij.”