Book of Common Prayer
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.
2 Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.
3 O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?
4 Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.
5 Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.
6 Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.
7 Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,
8 goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
9 O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.
10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,
11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.
13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;
14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.
15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.
104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.
27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
16 Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.
17 Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: "Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne". U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij.
18 Atëherë Sauli i tha Ahijaut: "Afroje arkën e Perëndisë!" (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).
19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: "Hiqe dorën tënde!".
20 Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.
21 Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.
22 Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t’i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.
23 Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.
24 Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi". Kështu që asnjeri nga populli nuk preku ushqim me dorë.
25 Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.
26 Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.
27 Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.
28 Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot," megjithëse populli ishte i rraskapitur".
29 Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.
30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?".
10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”
11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;
12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”
13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.
14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”
15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.
16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”
17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”
18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.
19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë.
33 Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka,” aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
34 Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.”
36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
37 dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten.”
38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".
39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve.”
40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe.”
42 Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.”
43 Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”