Book of Common Prayer
70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.
3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".
4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".
5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.
71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,
11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".
12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.
14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.
74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.
6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.
7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.
14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.
4 Kur Ish-Boshethi, bir i Saulit, mësoi që Abneri kishte vdekur në Hebron, i ranë krahët dhe i tërë Izraeli u trondit rëndë.
2 I biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin udhëheqës ushtarakë; njeri quhej Baanah dhe tjetri Rekab; ishin bij të Rimonit prej Beerothit, nga fisi i Beniaminit. (Sepse edhe Beerothi konsiderohet si pjesë e Beniaminit,
3 megjithëse Beerothitët kanë mërguar në Gitthaim, ku kanë qëndruar deri ditën e sotme).
4 Por Jonathani, bir i Saulit, kishte një djalë sakat nga këmbët; ai ishte pesë vjeç kur erdhi nga Jezreeli lajmi i vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit. Taja e tij e mori dhe ikën, por, duke ikur me nxitim, fëmija u rrëzua dhe mbeti i çalë. Emri i tij ishte Mefibosheth.
5 Bijtë e Rimon Beerothitit, Rekabi dhe Baanahu, u nisën dhe arritën në kohë të zhegut në shtëpinë e Ish-Boshethit, ndërsa ai po bënte pushimin e tij të mbasditës.
6 Hynë brenda shtëpisë sikur do të merrnin grurë dhe e goditën në bark. Pastaj Rekabi dhe vëllai i tij Baanahu ua mbathën këmbëve.
7 Kur hynë në shtëpi, Ish-Boshethi rrinte shtrirë në shtrat në dhomën e tij; e goditën, e vranë dhe i prenë kokën; pastaj pasi e morën kokën, ecën tërë natën duke ndjekur rrugën në drejtim të Arabahut.
8 Kështu ia çuan kokën e Ish-Boshethit Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: "Ja koka e Ish-Boshethit, birit të Saulit, i cili kërkonte jetën tënde; sot Zoti i ka dhënë mbretit zotërisë tim, hakmarrjen mbi Saulin dhe mbi pasardhësit e tij".
9 Por Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanahut, vëllait të tij, bij të Rimon Beerothitit, dhe u tha atyre: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka liruar nga çdo fatkeqësi,
10 në rast se kam kapur dhe kam bërë që të vritet në Tsiklag atë që solli lajmin: "Ja, Sauli vdiq," megjithëse ai pandehte se më kishte sjellë një lajm të mirë dhe priste të merrte një shpërblim,
11 aq më tepër tani që disa kriminelë kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e tij, në shtratin e tij, a nuk duhet t’ju kërkoj llogari për gjakun e tij nga duart tuaja dhe t’ju zhduk nga faqja e dheut?".
12 Kështu Davidi u dha urdhër të rinjve të tij dhe këta i vranë; ua prenë duart dhe këmbët, pastaj i varën pranë hauzit të Hebronit. Pas kësaj morën kokën e Ish-Boshethit dhe e varrosën në Hebron.
25 Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.
26 Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.
28 Por Pali thirri me zë të lartë: “Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu.”
29 Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;
30 pastaj i nxori jashtë dhe tha: “Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?.”
31 Dhe ata i thanë: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote.”
32 Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.
34 Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.
35 Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t’i thonë rojtarit të burgut: “Lëri të lirë ata njerëz.”
36 Dhe rojtari i burgut i tregoi Palit këto fjalë: “Pretorët kanë dërguar fjalë që të liroheni; dilni, pra, dhe shkoni në paqe.”
37 Por Pali u tha atyre: “Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas? Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë.”
38 Liktorët ua tregon këto fjalë pretorëve; dhe ata, kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë, u frikësuan.
39 Atëherë erdhën dhe iu lutën atyre, dhe si i nxorën, iu lutën që të largohen nga qyteti.
40 Atëherë ata, si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias dhe, kur panë vëllezërit, i ngushëlluan; dhe ikën.
7 Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi.
2 Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën.
3 Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve;
4 dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve.
5 Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?.”
6 Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje.
7 Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit".
8 Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”
9 U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.
10 E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde," dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".
11 Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë,"
12 nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,
13 duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”
14 Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:
15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.
16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!
17 Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.
18 Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,
19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?.” Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.
20 Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.
21 Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,
22 vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.
23 Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut.”