Book of Common Prayer
5 Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.
2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.
3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,
4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.
5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.
6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.
7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.
8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,
9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.
10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.
11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,
12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.
6 O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.
2 Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.
3 Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?
4 Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.
5 Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?
6 Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.
7 Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.
8 Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.
9 Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.
10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.
10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?
2 I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,
3 sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.
4 I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".
5 Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.
6 Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".
7 Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.
8 Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.
9 Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.
10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.
11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".
12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.
13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".
14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.
15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.
16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.
17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,
18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.
11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?
2 Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.
3 Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?
4 Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,
5 Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.
6 Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.
7 Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.
38 Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, Kerethejtë dhe Pelethejtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.
39 Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".
40 Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.
41 Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç’është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?".
42 Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira".
43 Jonathani iu përgjigj Adonijahut dhe tha: "Aspak! Mbret Davidi, zoti ynë, bëri mbret Salomonin.
44 Ai nisi me të priftin Tsadok, profetin Nathan, Benajahun, birin e Jehojadës, Kerethejtë dhe Pelethejtë, që e hipën mbi mushkën e mbretit.
45 Kështu prifti Tsadok dhe profeti Nathan e vajosën mbret në Gibon, dhe që andej janë nisur të gjithë tërë gëzim dhe tërë qyteti po zien. Kjo është zhurma që keni dëgjuar.
46 Përveç kësaj Salomoni është ulur në fronin e mbetërisë.
47 Dhe shërbëtorët e mbretit kanë vajtur të urojnë mbretin David, zotërinë tonë, duke thënë: "Perëndia yt e bëftë emrin e Salomonit më të lavdishëm se yti dhe e bëftë fronin e tij më të madh se yti!". Pastaj mbreti ra përmbys mbi shtrat,
48 dhe tha gjithashtu: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot uli një njeri mbi fronin tim, duke u lejuar syve të mi ta shikojnë"".
49 Atëherë tërë të ftuarve të Adonijahut u hyri tmerri, ata u ngritën dhe ikën secili në rrugën e tij.
50 Adonijahu, duke pasur frikë nga Salomoni, u ngrit dhe shkoi të kapet në brirët e altarit.
51 Këtë ia thanë Salomonit: "Ja, Adonijahu ka frikë nga mbreti Salomon dhe është kapur te brirët e altarit, duke thënë: "Mbreti Salomon të më betohet sot që nuk do ta bëjë të vdesë nga shpata shërbëtorin e tij"".
52 Salomoni u përgjigj: "Në qoftë se tregohet njeri i drejtë, nuk do t’i bjerë në tokë as edhe një fije floku, por në rast se tek ai gjendet ndonjë ligësi, ai ka për të vdekur".
53 Kështu mbreti Salomon dërgoi njerëz ta zbrisnin nga altari. Ai erdhi pastaj të bjerë përmbys përpara mbretit Salomon dhe ky i tha: "Shko në shtëpinë tënde".
2 Duke iu afruar Davidit dita e vdekjes, ai urdhëroi të birin Salomon, duke i thënë:
2 "Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë!
3 Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh,
4 dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: "Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit".
24 Dhe, ndërsa Pali i thoshte këto gjëra në mbrojtje të tij, Festi tha me zë të lartë: “Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh".
25 Por ai tha: “Unë nuk jam tërbuar, shumë i shkëlqyeri Fest, por them fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.
26 Sepse mbreti, të cilit unë po i flas lirisht, është i mirinformuar për këto gjëra, sepse unë jam i bindur se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi.
27 O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson.”
28 Atëherë Agripa i tha Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë.”
29 Pali i tha: “Dhëntë Perëndia që në pak ose në shumë kohë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që sot po më dëgjojnë, të bëhen të tillë, sikurse jam unë, përveç këtyre zinxhirëve.”
30 Mbasi tha këto gjëra, mbreti u ngrit dhe me të qeveritari, Berenike dhe ata që ishin ulur me ta.
31 Mbasi u hoqën mënjanë, folën me njëri-tjetrin dhe thanë: “Ky njeri nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen ose burgun.”
32 Atëherë Agripa i tha Festit: “Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos i ishte apeluar Cezarit.”
27 Kur u vendos që ne të lundrojmë për në Itali, Pali dhe disa të burgosur të tjerë iu dorëzuan një centurioni me emër Jul, i kohortës Augusta.
2 Hipëm në një anije të Adramitit, që duhej të kalonte nga portet e brigjeve të Azisë, dhe lundronim duke pasur me vete Aristarkun, një maqedonas nga Thesaloniki.
3 Të nesërmen arritëm në Sidon; dhe Juli, duke u treguar njerëzor me Palin, i dha leje të shkojë te miqtë e vet dhe që të kujdesen për të.
4 Pastaj, si u nisëm prej andej, lundruam të mbrojtur nga Qipro, sepse erërat ishin të kundërta.
5 Si e kaptuam detin e Kilikisë dhe të Panfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.
6 Centurioni gjeti atje një anije të Aleksandrisë, që do të shkonte për në Itali, dhe na futi në të.
7 Duke lundruar ngadalë për shumë ditë, arritëm me vështirësi deri përballë Knidit, sepse nuk na linte era; pastaj filluam të lundrojmë të mbrojtur nga Kreta nga ana e Salmonit.
8 Dhe duke lundruar me shumë vështirësi përbri brigjeve të saj, arritëm në një vend që quhet Limanet e Bukur, pranë të cilit ishte qyteti Lasea.
28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
32 “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!.”