Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 107:33-108:13

33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;

34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.

35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.

36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,

37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.

38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.

39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.

40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.

41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.

42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.

43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.

Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.

Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.

Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.

Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,

me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;

Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".

10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?

12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.

13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.

Psalmet 33

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

2 i Samuelit 16

16 Davidi sapo e kishte kaluar majën e malit; kur ja, Tsiba, shërbëtor i Mefiboshethit, i doli përpara me gomarë me samar dhe të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një calik me verë.

Mbreti i tha Tsibas: "Ç’ke ndërmënd të bësh me këto gjëra?". Tsiba iu përgjigj: "Gomarët do t’i shërbejnë shtëpisë së mbretit për të hipur; buka dhe frutat e verës do të përdoren për të ushqyer të rinjtë, dhe vera do të pihet nga ata që do të jenë të lodhur në shkretëtirë".

Mbreti tha: "Ku është biri i zotërisë tënd?". Tsiba iu përgjigj mbretit: Ja, mbeti në Jeruzalem, sepse tha: "Sot shtëpia e Izraelit do të më kthejë mbretërinë e atit tim"".

Atëherë mbreti i tha Tsibas: "Ja, të gjitha ato që janë pronë e Mefiboshethit janë të tua". Tsiba iu përgjigj: "Unë po bie përmbys para teje. Paça hirin tënd, o mbret, o imzot!".

Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime,

dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit.

Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: "Shko, pra, shko, njeri gjakatar dhe i kobshëm!

Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar".

Atëherë Abishai, bir i Tserajahut, i tha mbretit: "Pse ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë time? Të lutem, më lër të shkoj t’i pres kokën!".

10 Por mbreti iu përgjigj: "Ç’kam të bëj unë me ju, bijtë e Tserujahut? Prandaj lëreni të mallkojë, sepse Zoti i ka thënë: "Mallko Davidin!". Dhe kush mund të thotë: "Pse silleni kështu?"

11 Pastaj Davidi i tha Abishait dhe tërë shërbëorëve të tij: "Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më heqë jetën aq më shumë dhe ky Beniaminit! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti.

12 Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që më drejton sot".

13 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij e vazhduan rrugën e tyre; edhe Shimei ecte anës së malit, përballë Davidit, dhe rrugës e mallkonte atë, i hidhte gurë dhe pluhur.

14 Mbreti dhe tërë njerëzit që ishin me të arritën në vendin e caktuar të lodhur, dhe aty e morën veten.

15 Ndërkohë Absalomi dhe tërë populli, njerëzit e Izraelit, kishin hyrë në Jeruzalem; Ahithofeli ishte me të.

16 Kur Hushai, Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, Hushai i tha Absalomit: "Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!".

17 Absalomi i tha Hushait: "Kjo është dashuria që ke për mikun tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?".

18 Hushai iu përgjigj Absalomit: "Jo, unë do të jem me atë që Zoti, gjithë ky popull dhe tërë njerëzit e Izraelit kanë zgjedhur, dhe do të mbetem me të.

19 A nuk duhet vallë, të vihem në shërbim të birit të tij? Ashtu si i kam shërbyer atit tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty".

20 Atëherë Absalomi i tha Ahithofelit: "Jepni këshillën tuaj! Ç’duhet të bëjmë?".

21 Ahithofeli iu përgjigj kështu Absalomit: "Hyrë te konkubinat e atit tënd që ai ka lënë për të ruajtur shtëpinë, kështu tërë Izraeli do të mësojë që je bërë i urryer për atin tënd dhe ata që janë me ty do të marrin guxim".

22 Ngritën pastaj një çadër mbi taracën për Absalomin, dhe Absalomi hyri te konkubinat e atit të tij në sytë e tërë Izraelit.

23 Në ato ditë, këshilla e dhënë nga Ahithofeli kishte po atë vlerë të atij që kishte konsultuar fjalën e Perëndisë. Këtë vlerë kishte çdo këshillë e Ahithofelit si për Davidin ashtu dhe për Absalomin.

Veprat e Apostujve 22:17-29

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,

18 dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".

19 Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;

20 kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.

21 Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve".”

22 Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: “Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!.”

23 Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.

25 Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: “A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?.”

26 Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: “Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!.”

27 Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: “Më thuaj, a je një qytetar romak?.” Ai tha: “Po, jam!.”

28 Kryemijësi u përgjigj: “Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe.” Pali tha: “Kurse unë e kam qysh prej lindjes!.”

29 Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.

Marku 11:1-11

11 Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet,

duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni.

Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?," përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu".”

Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën.

Disa nga të pranishmit u thanë atyre: “Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?.”

Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë.

Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të.

Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës.

Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!

10 E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!.”

11 Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanias.