Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 131-135

131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.

Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.

Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

2 i Samuelit 19:1-23

19 Pastaj i thanë Joabit: "Ja, mbreti qan dhe mban zi për Absalomin".

Kështu fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: "Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij".

Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës.

Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe bërtiste me zë të lartë: "O biri im Absalom, o Absalom, biri im, biri im!".

Atëherë Joabi hyri në shtëpi të mbretit dhe tha: "Ti sot mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua,

sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur.

Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot".

Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: "Ja, mbreti është ulur te porta". Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.

Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart ee Filistejve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit.

10 Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?".

11 Atëherë mbreti David dërgoi t’u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: "Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi?

12 Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?".

13 Dhe i thoni Amasas: "A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh për gjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit".

14 Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t’i thonë mbretit: Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tuu".

15 Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t’i dalë përpara mbretit dhe për t’i siguruar kalimin e Jordanit.

16 Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t’i dalë përpara Davidit.

17 Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit.

18 Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin,

19 Dhe i tha mbretit: "Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh.

20 Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim".

21 Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?".

22 Davidi tha: "Ç’marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?".

23 Pastaj mbreti i tha Shimeit: "Ti nuk ke për të vdekur!". Dhe mbreti iu betua atij për këtë.

Veprat e Apostujve 24:1-23

24 Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin.

Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë:

“Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse.

Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht.

Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve.

Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë.

Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona,

duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë.”

Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat.

10 Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: “Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes.

11 Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar.

12 Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet;

13 dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë.

14 Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët,

15 duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.

16 Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve.

17 Tani, pas shumë vjetësh, unë erdha të sjell lëmosha dhe oferta kombit tim.

18 Por, tek po bëja këtë, ata më gjetën të pastruar në tempull, pa asnjë tubim ose trazirë.

19 Por ishin disa Judenj të Azisë, që duhej të dilnin para teje për të më akuzuar, se kishin diçka kundër meje.

20 Ose vetë këta le të thonë nëse kanë gjetur ndonjë padrejtësi tek unë, kur rrija përpara sinedrit,

21 veç mos qoftë vetëm për atë fjalë që unë thirra duke qëndruar në këmbë para tyre: "Për shkak të ringjalljes së të vdekurve sot unë gjykohem prej jush!".”

22 Kur i dëgjoi këto gjëra, Feliksi, që ishte i mirinformuar për Udhën, e shtyu gjyqin, duke thënë: “Kur të vijë tribuni Lisia, do të marr në shqyrtim çështjen tuaj.”

23 Dhe i dha urdhër centurionit që Palin ta ruanin, por të kishte njëfarë lirie, pa penguar asnjë nga të vetët t’i kryejnin shërbime ose të vijnin ta takojnin.

Marku 12:28-34

28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”

29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"

30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.

31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”

32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;

33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”

34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.