Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 148-150

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

1 i Mbretërve 8:22-40

22 Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit

23 dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.

24 Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

25 Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit, nëqoftëse bijtë e tu të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".

26 Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!

27 Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!

28 Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.

29 Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im," për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend.

30 Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.

31 Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull,

32 ti dëgjoje nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij.

33 Kur populli yt i Izraelit do të mundet para armikut sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lavdëron emrin tënd, në rast se të lutet dhe të stërlutet në këtë tempull,

34 ti dëgjoje nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe ktheje në vendin që u ke dhënë etërve të tyre.

35 Kur qielli do të mbyllet dhe nuk do të ketë më shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se luten duke t’u drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke dëshpëruar shumë,

36 ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

37 Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të pëllcasë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo,

38 çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli,

39 ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve),

40 me qëllim që ata të kenë frikë prej teje tërë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.

1 Timoteut 4:7-16

Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,

sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.

Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë.

10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.

11 Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.

12 Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.

13 Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.

14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.

15 Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.

16 Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.

Gjoni 8:47-59

47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.”

48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: “A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?.”

49 Jezusi u përgjigj: “Unë s’kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.

50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.

51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë.”

52 Pra Judenjtë i thanë: “Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".

53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?.”

54 Jezusi u përgjigj: “Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s’është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.

55 Por ju ende s’e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.

56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua.”

57 Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?.”

58 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.”

59 Atëherë ata morën gurë, që t’i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.