Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 50

50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Psalmet 59-60

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

60 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

1 i Mbretërve 18:1-19

18 Shumë kohë më vonë, gjatë vitit të tretë, fjala e Zotit iu drejtua Elias, duke i thënë: "Shko dhe paraqitu te Ashabi dhe unë do të dërgoj shiun mbi vendin".

Elia shkoi të paraqitet te Ashabi. Atëherë në Samari kishte pllakosur një zi e madhe e bukës.

Ashabi dërgoi të thërrasë Abdian, që ishte mexhordomi i tij. (Abdia kishte frikë të madhe nga Zoti;

kështu, kur Jezebeli shfaroste profetët e Zotit, Abdia mori njëqind profetë dhe fshehu pesëdhjetë prej tyre në një shpellë, duke i furnizuar me bukë dhe ujë).

Ashabi i tha Abdias: "Shko nëpër vendin në drejtim të të gjitha burimeve dhe rrjedhave ujore; ndofta do të gjejmë bar të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat dhe nuk do të detyrohemi të vrasim asnjë nga kafshët tona".

Kështu e ndanë vendin që do të përshkohej; Ashabi shkoi vetëm nga një anë dhe Abdia vetëm nga ana tjetër.

Ndërsa Abdia po udhëtonte, ja ku doli përpara Elia; Abdiu e njohu dhe u shtri me fytyrë për tokë përpara tij, duke thënë: "Ti je zotëria im Elia?".

Ai u përgjigj: "Jam unë; shko e i thuaj zotërisë sate: Elia është këtu".

Por Abdia u përgjigj: Çfarë mëkati kam kryer që ti dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ashabit që ai të shkaktojë vdekjen time?

10 Ashtu siç është e vërtetë që Zoti, Perëndia yt, rron, nuk ka komb dhe mbretëri në të cilin zoti im nuk ka dërguar njerëz të të kërkojnë; dhe kur thonin: "Nuk është këtu," ai i vinte të betoheshin mbretërinë dhe kombin që nuk kishin mundur të të gjenin.

11 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!".

12 Por do të ndodh që sapo të largohem prej teje, Fryma e Zotit do të të çojë në një vend të panjohur nga unë; kështu unë do të shkoj t’ia njoftoj Ashabit, dhe ky, duke mos të gjetur, do të më vrasë. Dhe shërbëtori yt i druhet Zotit që i ri!

13 A nuk i kanë njoftuar zotërisë sime atë që unë kam bërë kur Jezebeli vriste profetët e Zotit? Si fsheha njëqind nga këta profetë të Zotit, pesëdhjetë në një shpellë dhe pesëdhjetë në një tjetër, duke i furnizuar me bukë dhe me ujë?

14 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!". Por ai do të më vrasë".

15 Atëherë Elia u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive në prani të të cilit ndodhem, sot do të paraqitem te Ashabi".

16 Abdia, pra, shkoi të kërkojë Ashabin dhe i njoftoi çështjen, dhe Ashabi i doli përpara Elias.

17 Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?".

18 Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve.

19 Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit".

Filipianëve 2:12-30

12 Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje,

13 sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.

14 Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime,

15 që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës,

16 që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot.

17 Por, edhe sikur unë të jem derdhur si flijim dhe shërbesë të besimit tuaj, gëzohem dhe ngazëlloj me ju të gjithë.

18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe ngazëllohuni me mua.

19 Por shpresoj, në Zotin Jezus, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem,

20 sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua, që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja.

21 Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit.

22 Por ju e njihni provën e tij se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit.

23 Shpresoj, pra, t’jua dërgoj atë, posa të kem sistemuar kompletisht gjërat e mia.

24 Dhe kam besim te Zoti që edhe unë vetë do të vij së shpejti.

25 Por m’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar si shërbenjës në nevojat e mia,

26 sepse kishte shumë mall për ju të gjithë dhe ishte shumë i vrarë sepse kishit dëgjuar se ishte i sëmurë.

27 Edhe vërtetë ai qe i sëmurë, gati për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim.

28 Për këtë arsye jua dërgova me aq më shumë ngut, që ju, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe unë të kem më pak trishtim.

29 Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai,

30 sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.

Mateu 2:13-23

13 Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.”

14 Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.

15 Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç’ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: “E thirra birin tim nga Egjipti.”

16 Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës të cilën e kishte hetuar me kujdes nga Dijetarët.

17 Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:

18 “Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më.”

19 Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,

20 dhe i thotë: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur.”

21 Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;

22 por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,

23 dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: “Ai do të quhet Nazareas.”