Book of Common Prayer
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6 me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
9 Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?
21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t’i hanin dhe bretkosa që t’i shkatërronin.
46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.
19 Profeti i tha: "Shko i qetë!". Kështu u nda prej tij dhe bëri një copë rrugë të mirë.
20 Por Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me veten e tij: "Ja, zoti im është sjellë tepër mirë me Naamanin, me këtë Sirian, duke mos pranuar nga dora e tij atë që ai kishte sjellë; siç është e vërtetë që Zoti rron, do ta ndjekë nga pas dhe do të marr diçka prej tij".
21 Kështu Gehazi ndoqi Naamanin; kur Naamani pa që ai vraponte prapa tij, u hodh nga qerrja për t’i dalë përballë dhe i tha: "A shkon çdo gjë mirë?".
22 Ai u përgjigj: "Çdo gjë mirë. Zoti im më dërgon të të them: "Ja, pikërisht tani kanë ardhur tek unë nga krahina malore e Efraimit dy të rinj nga dishepujt e profetëve; të lutem, jepu atyre një talent argjendi dhe dy palë rroba"".
23 Atëherë Naamani tha: "Të lutem, prano dy talenta!," dhe insistoi me të. Pastaj lidhi dy talenta prej argjendi, në dy thasët me dy palë rroba dhe ua dorëzoi dy prej shërbëtorëve të tij, që i bartën para tij.
24 Kur arriti në kodër, mori thasët nga duart e tyre, i rivendosi në shtëpi; pastaj i ktheu prapa njerëzit, që ikën.
25 Pastaj shkoi të paraqitet përpara zotit të tij, Eliseu i tha: "Ku ke vajtur, Gehazi?". Ai u përgjigj: "Shërbëtori yt nuk ka vajtur asgjëkundi".
26 Por Eliseu i tha: "Fryma ime, vallë a nuk të ka ndjekur, kur ai njeri u kthye prapa nga qerrja e tij që të të dalë përpara? Vallë, tani është çasti për të marrë para, për të marrë rroba, ullishte dhe vreshta, dele dhe lopë, skllevër dhe skllave?
27 Prandaj lebra e Naamanit do të të ngjitet ty dhe pasardhësve të tu përjetë". Kështu Gehazi doli nga prania e Eliseut lebroz i tëri, i bardhë si bora.
5 Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.
2 Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.
3 Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë.
4 Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
5 vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus.
6 Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?
7 Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.
8 Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.
27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".
28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.
29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;
30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.
31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes".
32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".
34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;
37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.