Book of Common Prayer
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
12 Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret.
2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt.
3 Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t’i flasin Roboamit dhe i thanë:
4 "Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë".
5 Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku.
6 Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli?".
7 Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t’i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t’u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë".
8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9 dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?".
10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: Kështu do t’i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke tëë thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t’u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim;
11 prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik"".
12 Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditëve".
13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë;
14 përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më tëë rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t’ju dënoj me kamxhik".
15 Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh.
16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj atij duke i thënë: "Çfarë pjese kemi ne me Davidin? Nuk kemi asnjë trashëgimi me të birin e Isait! Në çadrat e tua, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu Izraeli u tërhoq në çadrat e tij.
17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës mbretëronte Roboami.
18 Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem.
19 Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.
20 Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.
7 Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.
8 Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.
9 Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.
10 O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.
11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.
12 Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë “po” -ja juaj “po” dhe “jo” -ja “jo,” që të mos bini nën dënim.
19 Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,
20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.
33 Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.
34 Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?,” që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”
35 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: “Ja, ai po thërret Elian!.”
36 Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.”
37 Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.
38 Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.
39 Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!.”