Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 66-67

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Psalmet 46

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

2 i Samuelit 13:1-22

13 Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të.

Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t’i bënte gjë.

Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak.

Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom".

Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"".

Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj".

Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t’i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë".

Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi.

Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t’i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë.

10 Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj.

11 Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime".

12 Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë!

13 Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje".

14 Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të.

15 Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!".

16 Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë.

17 Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj".

18 Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj.

19 Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur.

20 Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj.

21 Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë.

22 Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara.

Romakëve 15:1-13

15 Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t’i pëlqejmë vetes.

Secili nga ne le t’i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim,

sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: “Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.”

Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.

Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,

që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.

Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.

Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,

dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!.”

10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.”

11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.”

12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!.”

13 Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!

Gjoni 3:22-36

22 Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.

23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,

24 sepse Gjoni s’ishte hedhur akoma në burg.

25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.

26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”

27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.

28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".

29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!

30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.

31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.

32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.

33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.

34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.

35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.

36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”