Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 118

118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.

Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?

Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.

10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.

11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.

14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.

15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.

16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.

17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.

18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.

19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.

26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.

28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.

29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Psalmet 145

145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

2 i Samuelit 17:1-23

17 Pastaj Ahithefeli i tha Absalomit: "Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin;

duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin,

dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe".

Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.

Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe Arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje".

Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!".

Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë".

Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin.

Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: "Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër".

10 Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima.

11 Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë.

12 Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një.

13 Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t’i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, deri sa aty të mos mbetet asnjë gur".

14 Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: "Këshilla e Arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit". Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin.

15 Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë.

16 Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen".

17 Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t’i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David.

18 Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të.

19 Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri.

20 Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimatsi dhe Jonathani?," gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t’i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem.

21 Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush".

22 Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.

23 Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.

Galatasve 3:6-14

Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;

Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.

Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”

Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.

10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.”

11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit.”

12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre.”

13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),

14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.

Gjoni 5:30-47

30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.

34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.

37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,

38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.

44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;

46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”