M’Cheyne Bible Reading Plan
35 Moisiu thirri asamblenë e bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Këto janë gjërat që Zoti më ka urdhëruar të bëj.
2 Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë do të jetë për ju një ditë e shenjtë, një e shtunë pushimi, e shenjtëruar ndaj Zotit. Kushdo që bën ndonjë punë atë ditë do të dënohet me vdekje.
3 Nuk do të ndizni zjarr në asnjë prej banesave tuaja ditën e shtunë".
4 Pastaj Moisiu i foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar, duke thënë:
5 "Merrni ndërmjet jush një ofertë për Zotin; kushdo që ka zemër bujare do t’i çojë një ofertë Zotit: ar, argjend dhe bronz,
6 stofa ngjyrë vjollce, të purpurta ose flakë të kuqe, li të hollë dhe lesh dhie,
7 lëkura dashi të ngjyera në të kuq, lëkura baldose dhe dru të akacies,
8 vaj për ndriçim të shandanit dhe aroma për vajin e vajosjes dhe për temjanin aromatik,
9 gurë oniksi dhe gurë për t’u ngallmuar mbi efodin dhe pektoralin.
10 Kushdo ndërmjet jush që është i aftë, le të vijë dhe të bëjë tërë ato gjëra që Zoti ka urdhëruar:
11 tabernakullin, çadrën e tij dhe mbulesën, kapëset, dërrasat, traversat, shtyllat dhe bazat e tij,
12 arkën, shtizat e saj, pajtuesin dhe velin e mbulesës së arkës,
13 tryezën dhe shtizat e saj, tërë veglat e saj dhe bukën e paraqitjes;
14 shandanin për dritë dhe veglat e tij, llambat e tij dhe vajin për ndriçim të shandanit;
15 altarin e temjanit dhe shtizat e tij, vajin e vajosjes, temjanin aromatik dhe perden e hyrjes në tabernakull,
16 altarin e olokausteve me grilën e tij prej bronzi, shtizat dhe tërë veglat e tij, legenin dhe bazën e tij,
17 perdet e oborrit, shtyllat e tij dhe bazat e tyre, dhe perdja e hyrjes në oborr;
18 kunjat e tabernakullit, kunjat e oborrit dhe litarët e tyre;
19 rrobat e punuara hollë për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij që të shërbejnë si priftërinj"".
20 Atëherë gjithë asambleja e bijve të Izraelit u largua nga prania e Moisiut.
21 Kështu tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes, për të gjitha shërbimet e tij dhe për rrobat e shenjta.
22 Erdhën burra dhe gra, ata që kishin zemër bujare, dhe sollën me vete kapëse, vathë, unaza me vulë dhe byzylykë, lloj lloj xhevahiresh prej ari; gjithkush i solli ndonjë ofertë prej ari Zotit.
23 Dhe të gjithë ata që kishin stofa ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe, ose li të hollë, apo lesh dhie, ose lëkura dashi me ngjyrë të kuqe, ose lëkurë baldose, i sollën.
24 Kushdo që mund të bënte një ofertë prej argjendi o prej bronzi, e solli ofertën e shenjtëruar për Zotin; dhe kushdo që kishte dru prej akacieje për ndonjë punë të caktuar për shërbimin, e solli.
25 Të gjitha gratë e zonja torën me duart e tyre dhe prunë fillin ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe li të hollë.
26 Dhe të gjitha gratë që ishin të shtyra nga zemra e tyre dhe kishin zhdërvjelltësi, torën lesh dhie.
27 Krerët e popullit sollën gurë oniksi dhe gurë për t’u ngallmuar në efodin dhe në pektoralin,
28 aroma dhe vaj për ndriçim të shandanit, vaj për vajosjen dhe për temjanin aromatik.
29 Të gjithë bijtë e Izraelit, burra e gra, që ishin të shtyrë nga zemra për t’i çuar diçka për tërë veprën që Zoti kishte urdhëruar të bënin me anë të Moisiut, i çuan Zotit oferta vullnetare.
30 Moisiu u tha bijve të Izraelit: "Shikoni, Zoti i thirri me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës,
31 dhe e mbushi me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarsi, me njohuri dhe me gjithfarë aftësish,
32 që të mund të krijojë vizatime artistike, të punojë arin, argjendin dhe bronzin,
33 të gdhendë gurë për t’u ngallmuar, për të punuar drurin dhe për të kryer çdo lloj punimi artistik.
34 I ka shtënë gjithashtu në zemër aftësinë për të mësuar të tjerët, atij dhe Oholiabit, birit të Ahisamakut, nga fisi i Danve.
35 I mbushi me diturinë e zemrës për të kryer gjithfarë punimesh të gdhendësit, të vizatuesit, të qëndistarit dhe të endësit, në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe, dhe prej liri të hollë, i aftë për të kryer çdo lloj punimi dhe për të krijuar vizatime artistike.
14 “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.
3 Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.”
5 Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”
6 Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë.”
8 Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.”
9 Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".
10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.
11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave.
12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.
13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.
14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.”
15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.
16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,
17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.
19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.
20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.
21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”
22 Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?.”
23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.
24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.
25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;
26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.
27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.
28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.
29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.
30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua;
31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!.”
11 Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.
2 Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.
3 Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta.
4 Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.
5 Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.
6 Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.
7 Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.
8 I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.
9 Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.
10 Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.
11 Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.
12 Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.
13 Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.
14 Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.
15 Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.
16 Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.
17 Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.
18 I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.
19 Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.
20 Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.
21 Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.
22 Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.
23 Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi.
24 Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.
25 Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.
26 Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.
27 Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t’i bjerë mbi të.
28 Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.
29 Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra.
30 Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.
31 Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!
4 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët,
2 me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri,
3 duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
4 Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj.
5 Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm,
6 një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.
7 Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit.
8 Për ç’ka Shkrimi thotë: “Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve.”
9 Tani kjo: “Ai u ngjit,” ç’do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut?
10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat.
11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,
12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,
13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,
14 që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit,
15 por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.
16 Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.
17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,
18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.
19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.
20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,
21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,
22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,
23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj
24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.
25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.
26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;
27 dhe mos i jepni vend djallit.
28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.
29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.
32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.