M’Cheyne Bible Reading Plan
18 Jethro, prift i Madianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi të gjitha ato që Perëndia kishte bërë për Moisiun dhe për Izraelin popullin e tij: si e kishte nxjerrë Zoti Izraelin nga Egjipti.
2 Atëherë Jethro, vjehrri i Moisiut, mori Seforan, gruan e Moisiut,
3 e cila i ishte kthyer, dhe dy bijtë e saj, prej të cilëve njëri quhej Gershom, (sepse Moisiu kishte thënë: "Kam qenë mik në tokë të huaj")
4 dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: "Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit").
5 Jethro, pra, vjehrri i Moisiut, erdhi te Moisiu bashkë me bijtë e tij dhe bashkëshorten e tij, në shkretëtirë ku ishte vendosur ai, në malin e Perëndisë.
6 I kishte çuar fjalë Moisiut: "Unë, Jethro, vjehrri yt, po vij te ti bashkë me gruan tënde dhe dy bijtë e saj".
7 Kështu Moisiu doli për të takuar vjehrrin e tij, u përkul dhe e puthi; pyetën njëri tjetrin për shëndetin e tyre, pastaj hynë në çadër.
8 Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë Faraonit dhe Egjiptasve për shkak të Izraelit, të gjitha fatkeqësitë e pësuara gjatë udhëtimit, dhe si i kishte shpëtuar Zoti.
9 Dhe Jethro u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti i kishte bërë Izraelit, duke e shpëtuar nga dora e Egjiptasve.
10 Pastaj Jethro i tha: "Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e Faraonit, dhe çliroi popullin nga zgjedha e Egjiptasve!
11 Tani e di që Zoti është më i madhi nga tërë perënditë; po, ai ua vërtetoi atyre me sa krenari, kur vepruan me kryelartësi kundër Izraelit".
12 Pastaj Jethro, vjehrri i Moisiut, mori një olokaust dhe disa fli për t’ia ofruar Perëndisë; dhe Aaroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën të hanë me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë.
13 Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
14 Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: Ç’është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm, dhe tërë populli të rrii përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?".
15 Moisiu iu përgjigj vjehrrit të tij: "Sepse populli vjen tek unë për t’u këshilluar me Perëndinë.
16 Kur ata kanë ndonjë problem, vinë tek unë, dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij".
17 Por vjehrri i Moisiut i tha: "Ajo që bën ti nuk shkon mirë.
18 Do të rraskapitesh më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm.
19 Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre.
20 Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregohu rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë.
21 Por zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.
22 Dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë; ata do të të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do të vendosin vetë. Kështu do të jetë më lehtë për ty, dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty.
23 Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh; dhe tërë ky popull do të arrijë faqebardhë në vendin e caktuar për të".
24 Moisiu e dëgjoi zërin e vjehrrit të tij, dhe bëri gjithçka që i kishte thënë.
25 Kështu Moisiu zgjodhi në tërë Izraelin disa njerëz të aftë dhe i vuri si krerë të popullit: krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.
26 Kështu ata e gjykonin popullin në çdo kohë; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut, por çdo problem të vogël e zgjidhnin vetë.
27 Pastaj Moisiu u nda nga vjehrri i tij, i cili u kthye në vendin e vet.
21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,
2 dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla
3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.
4 Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”
5 Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:
6 “Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
7 Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”
8 Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.
9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”
10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;
11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,
13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.
14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,
15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.
16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.
17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.
18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.
19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”
20 “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.
21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.
22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.
23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.
24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve.”
25 “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;
26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.
27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.
28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.”
29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Vini re fikun dhe të gjitha pemët.
30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;
31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.
33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
34 “Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.
36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.”
37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.
38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.
36 Elihu vazhdoi edhe më, duke thënë:
2 "Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.
3 Do ta sjell larg atë që di dhe do t’i jap hak atij që më ka krijuar.
4 Sigurisht fjalët e mia nuk janë të rreme; para teje ke një njeri me njohuri të përsosur.
5 Ja, Perëndia është i fuqishëm, por nuk përçmon njeri; është i fuqishëm në forcën e diturisë së tij.
6 Ai nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve.
7 Nuk i heq sytë nga të drejtët, por bën që të ulen për gjithnjë me mbretërit mbi fronin; kështu ata rrinë lart.
8 Por në rast se janë të lidhur me zinxhira dhe të mbajtur me veriga pikëllimi,
9 atëherë u tregon veprat e tyre dhe shkeljet e tyre, sepse u është rritur mendja.
10 Kështu ai ua hap veshët për t’u ndrequr dhe i nxit të largohen nga e keqja.
11 Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t’i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime;
12 por, në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata, do të vdesin pa ardhur në vete.
13 Por të pabesët nga zemra mbledhin zemërimin, nuk bërtasin për të kërkuar ndihmë,
14 kështu ata vdesin ende të rinj, dhe jeta e tyre mbaron midis Sodomitëve.
15 Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë.
16 Ai dëshiron të të largojë edhe ty nga kafshimi i fatkeqësisë, që të të çojë në një vend të gjerë pa kufizim, me një tryezë të shtruar me ushqime të shijshme.
17 Por ti je mbushur me mendimin e njeriut të keq, dhe gjykimi e drejtësia do të të kapin.
18 Në rast se ekziston zemërimi, ki kujdes që ai të mos të të fshijë me një goditje të vetme, sepse një shumë e madhe parash nuk do të mund të largonte.
19 Vallë a do t’i çmojë pasuritë e tua, kur ai ka ar dhe të gjitha burimet e fuqisë?
20 Mos dëshiro natën, gjatë së cilës njerëzia çohet larg nga vendi i saj.
21 Ki kujdes të mos anosh nga paudhësia, sepse ti ke preferuar këtë pikëllim.
22 Ja, Perëndia ka shkëlqyer në fuqinë e tij; kush mund të na mësojë si ai?
23 Vallë, kush mund t’i imponojë rrugën që duhet ndjekur dhe kush mund t’i thotë: "Ti ke bërë keq"?
24 Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;
25 tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t’i soditë nga larg.
26 Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.
27 Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,
28 që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.
29 Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?
30 Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.
31 Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.
32 Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.
33 Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.
6 Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,
2 sepse ai thotë: “Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova.” Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.
3 Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;
4 por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
5 në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,
6 me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,
7 me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,
8 në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;
9 si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;
10 si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.
11 Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë.
12 Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj.
13 Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju.
14 Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin?
15 Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?
16 Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.”
17 Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj,
18 dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”