M’Cheyne Bible Reading Plan
19 Ditën e parë të muajit të tretë nga dalja prej vendit të Egjiptit, po atë ditë, bijtë e Izraelit arritën në shkretëtirën e Sinait.
2 Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit.
3 Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit:
4 "Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.
5 Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.
6 Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit"".
7 Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.
8 Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.
9 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të vij te ti në një re të dendur, me qëllim që populli të dëgjojë kur unë do të flas me ty, dhe të të besojë për gjithnjë". Pastaj Moisiu i tregoi Zotit fjalët e popullit.
10 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat.
11 Dhe të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë mbi malin e Sinait para syve të tërë popullit.
12 Ti do të përcaktosh rreth e qark kufij për popullin dhe do të thuash: Ruhuni se ngjiteni në mal ose prekni skajet e tij. Kushdo që do të prekë malin do të dënohet me vdekje.
13 Asnjë dorë nuk do ta prekë, por do të vritet me gurë ose do të shpohet me shigjeta, qoftë njeri ose kafshë; nuk do të mbetet gjallë. Kur briri të dëgjohet shtruar, atëherë të ngjiten mbi mal".
14 Kështu Moisiu zbriti nga mali drejt popullit; shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat e tyre.
15 Pastaj i tha popullit: "Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave".
16 Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.
17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.
18 Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.
19 Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.
20 Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.
21 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.
22 Edhe priftërinjtë që do t’i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre".
23 Moisiu i tha Zotit: "Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: "Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje"".
24 Por Zoti i tha: "Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t’u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre".
25 Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.
22 Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.
2 Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.
3 Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.
4 Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.
5 Ata u gëzuan dhe i premtuan t’i japin para.
6 Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t’ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.
7 Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.
8 Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: “Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë.”
9 Dhe ata e thanë: “Ku dëshiron ta përgatisim?.”
10 Atëherë ai tha atyre: “Ja, kur të hyni në qytet, do t’ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.
11 I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
12 Atëherë ai do t’ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet.”
13 Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
14 Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.
15 Atëherë ai u tha atyre: “Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
16 sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë.”
17 Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: “Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,
18 sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë.”
19 Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”
20 Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
21 Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
22 Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!.”
23 Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
24 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
25 Por Jezusi u tha atyre: “Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
26 Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
27 Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
28 Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
29 Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
30 që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.”
33 Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.”
34 Por Jezusi tha: “Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh.”
35 Pastaj u tha atyre: “Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?.” Dhe ata thanë: “Asgjë.”
36 U tha, pra, atyre: “Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.
37 Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre.”
38 Atëherë ata thanë: “Zot, ja këtu dy shpata.” Por ai u tha atyre “Mjaft!.”
39 Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
40 Kur arriti në vend, u tha atyre: “Lutuni që të mos hyni në tundim.”
41 Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,
42 duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.”
43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t’i dhënë forcë.
44 Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
45 Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
46 dhe u tha atyre: “Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim.”
47 Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
48 Dhe Jezusi i tha: “Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?.”
49 Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: “Zot, a t’u biem me shpatë?.”
50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Lëreni, mjaft kështu.” Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
52 Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: “Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
53 Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.”
54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me të.”
57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”
58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.” Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”
59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas.”
60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”
62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.
63 Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.
64 Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: Profetizo, kush është ai që të ra??".
65 Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.
66 Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:
67 “Në se ti je Krishti, na e thuaj.” Por ai u tha atyre: “Edhe sikur t’jua thoja, nuk do ta besonit.
68 Edhe sikur t’ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.
69 Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë.”
70 Atëherë të gjithë thanë: “Je ti, pra, Biri i Perëndisë?.” Dhe ai u tha atyre: “Ju thoni se unë jam.”
71 Atëherë ata thanë: “Ç’nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij.”
37 Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.
2 Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!
3 Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.
4 Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.
5 Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t’i kuptojmë.
6 I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë," ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.
7 Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.
8 Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.
9 Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.
10 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.
11 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.
12 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.
13 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.
14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!
15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?
16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?
17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?
18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?
19 Na mëso se çfarë duhet t’i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.
20 A mund t’i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.
21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.
22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.
23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.
24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".
7 Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë.
2 Na pranoni; ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt.
3 Këtë nuk e them për dënim, sepse që më parë iu thashë se jeni në zemrat tona për të vdekur bashkë dhe për të jetuar bashkë.
4 Jam shumë i hapur me ju dhe kam me se të mburrem për ju; jam plot me ngushullim dhe jam jashtë mase i gëzuar në gjithë shtrëngimin tonë.
5 Sepse, kur erdhëm në Maqedoni, mishi ynë nuk pati fare prehje, por u shtrënguam në të gjitha mënyrat: jashtë betejë, përbrenda frikë.
6 Por Perëndia, që ngushëllon të pikë-lluarit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit,
7 dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që ai pati prej jush; ai na tregoi dëshirën tuaj të madhe, lotët tuaja, zellin tuaj për mua, kaq sa u gëzova më tepër,
8 sepse, ndonëse edhe ju kam trishtuar me letrën time, nuk më vjen keq, ndonëse më pati ardhur keq, sepse shoh se ajo letër, edhe pse për pak kohë, ju trishtoi.
9 Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne.
10 Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje.
11 Në fakt, ja sa kujdes shkaktoi te ju pikëllimi sipas Perëndisë, madje sa fjalë për të kërkuar ndjesë, sa zemëratë, sa druajtje, sa dëshirë të zjarrtë, sa zell, sa kënaqësi! Me çdo mënyrë ju e treguat se jeni të pastër në këtë çështje.
12 Edhe pse ju shkrova, nuk e bëra as për atë që e bëri padrejtësinë, as për atë që e pësoi, por që të shfaqet në mes tuaj kujdesi ynë që kemi për ju përpara Perëndisë.
13 Prandaj ne u ngushëlluam për shkak të ngushëllimit tuaj dhe u gëzuam aq më tepër për gëzimin e Titit, sepse fryma e tij u shlodh nga ju të gjithë.
14 Prandaj, në qoftë se u mburra për ndonjë gjë tek ai për ju, nuk u turpërova por, ashtu si ju kemi treguar të gjitha gjërat me vërtetësi, kështu edhe mburrja jonë te Titi doli e vërtetë.
15 Dhe ai ka një dashuri të madhe për ju, kur kujton bindjen e ju të gjithëve dhe si e pritët atë me frikë dhe me të dridhura.
16 Gëzohem, pra, që në çdo gjë mund të besoj në ju.