M’Cheyne Bible Reading Plan
32 Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur".
2 Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m’i sillni mua".
3 Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit,
4 i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".
5 Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".
6 Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.
7 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;
8 u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".
9 Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.
10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".
11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?
12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t’ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t’i bërë keq popullit tënd.
13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".
14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.
15 Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa.
16 Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat.
17 Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: Ka një zhurmë lufte në kampp".
18 Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë".
19 Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit.
20 Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit.
21 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?".
22 Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes.
23 Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur".
24 Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç".
25 Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij),
26 u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij.
27 Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"".
28 Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz.
29 Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t’ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij".
30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj".
31 Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.
32 Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!".
33 Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im!
34 Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t’i dënuar, do t’i dënoj për mëkatin e tyre".
35 Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar.
11 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.
2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.
3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: “Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë.”
4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë.”
5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.
6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.
7 Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude.”
8 Dishepujt i thanë: “Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?.”
9 Jezusi u përgjigj: “Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,
10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të.”
11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.”
12 Atëherë dishepujt e tij thanë: “Zot, po të flejë, do të shpëtojë.”
13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.
14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur.
15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai.”
16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.”
17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.
18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.
20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.
21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,
22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”
23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”
24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”
25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.
26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?.”
27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”
28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.”
29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.
30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.
31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: “Ajo po shkon te varri për të qarë aty.”
32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”
33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,
34 dhe tha: “Ku e keni vënë?.” Ata i thanë: “Zot, eja e shih!.”
35 Jezusi qau.
36 Atëherë Judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!.”
37 Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s’mund të bënte që ky të mos vdiste?".
38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.
39 Jezusi tha: “Hiqni gurin!.” Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh.”
40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?.”
41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.
42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.”
43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!.”
44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!.”
45 Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të.
46 Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç’kishte bërë Jezusi.
47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: “Ç’të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja.
48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë.”
49 Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: “Ju nuk kuptoni asgjë;
50 dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi.”
51 Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,
52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë.
53 Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.
54 Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij.
55 Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t’u pastruar.
56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: “Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?.”
57 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.
8 A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
2 Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
3 bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
4 "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
5 Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
6 Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
7 Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
9 Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
21 për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, shenjtorëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Jezu Krishtin:
2 Hir dhe paqe qoftë mbi ju prej Perëndisë, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin,
4 sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,
5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet,
6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij,
7 në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij,
8 të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh me gjithë urtësinë dhe mençurinë,
9 duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij,
10 që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.
11 Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij,
12 që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin.
13 Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,
14 i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.
15 Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve,
16 nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia,
17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij,
18 dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,
19 dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij,
20 të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore,
21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme,
22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,
23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.