Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Eksodi 34

34 Zoti i tha Moisiut: "Preji dy pllaka guri ashtu si të parat; dhe unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që theve.

Kështu ji gati në mëngjes dhe ngjitu në mëngjes në malin Sinai, dhe qëndro aty afër meje në majë të malit.

Askush të mos ngjitet bashkë me ty dhe të mos duket asnjeri në tërë malin; as kope me bagëti të imët a të trashë përreth këtij mali".

Kështu Moisiu preu dy pllaka guri, si të parat; u ngrit herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti, dhe mori në dorë të dyja pllakat prej guri.

Atëherë Zoti zbriti në renë dhe u ndal aty pranë tij, dhe shpalli emrin e Zotit.

Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri,

që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt".

Dhe Moisiu nxitoi të përkulet deri në tokë, dhe adhuroi.

Pastaj tha: "O Perëndi, në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, eja në mes nesh, sepse ky është një popull me qafë të fortë; na fal padrejtësinë tonë dhe mëkatin tonë, dhe na merr si trashëgiminë tënde".

10 Zoti u përgjigj: "Ja, unë po bëj një besëlidhje: Do të bëj para gjithë popullit mrekulli, që nuk janë bërë kurrë mbi të gjithë dheun dhe në asnjë komb tjetër; dhe tërë populli në mes të të cilit ndodhesh do të shohë veprën e Zotit, sepse është e tmerrshme ajo që do të bëj me ty.

11 Kqyr atë që po të urdhëroj sot: Ja unë do t’i dëboj para teje Amorejtë, Kananejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.

12 Ruhu se bën ndonjë aleancë me banorët e vendit në të cilin ke për të vajtur, me qëllim që të mos jetë një grackë për ty;

13 por rrëzo altarët e tyre, copëto shtyllat e tyre të shenjta dhe rrëzo shëmbëlltyrat e tyre,

14 (sepse nuk do t’i përulesh një perëndi tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është "Xhelozi," është një Perëndi xheloz).

15 Mos bëj asnjë aleancë me banorët e vendit sepse, kur ata kurvërohen te idhujt e tyre dhe ofrojnë fli idhujve të tyre, ndokush prej tyre të fton dhe ti ha nga flitë e tyre,

16 dhe merr nga bijat e tyre për bijtë e tu, dhe vajzat e tyre të kurvërohen te idhujt e tyre dhe t’i shtyjnë bijtë e tu të kurvërohen te idhujt e tyre.

17 Nuk do të bësh idhull me metal të shkrirë.

18 Do të kremtosh festën e të ndormeve. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë pa maja, ashtu siç të kam urdhëruar në kohën e caktuar, në muajin e Abibit, sepse në muajin e Abibit ti ke dalë nga Egjipti.

19 Kushdo që çel barkun është imi; është imja çdo pjellë e parë mashkull të të gjithë bagëtisë sate, qoftë e trashë ose e imët.

20 Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t’i thyesh qafën. Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur të bijve të tu. Asnjeri nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

21 Do të punosh gjashtë ditë; por ditën e shtatë do të pushosh: do të pushosh edhe në kohën e lërimit dhe të korrjes.

22 Do të kremtosh festën e javëve, domethënë, të prodhimit të parë të korrjes së grurit dhe festën e të vjelave në fund të vitit.

23 Tri herë në vit do të paraqitet çdo mashkull i juaj para Perëndisë, Zotit, Perëndisë të Izraelit.

24 Sepse unë do të dëboj kombe para teje dhe do të zgjeroj kufijtë e tu, dhe askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur do të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë përpara Zotit, Perëndisë tënd.

25 Nuk do të ofrosh me bukë të mbrujtur gjakun e viktimës së flijuar për mua; flia e festës së Pashkës nuk do të lihet deri në mëngjes.

26 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, prodhimet e para të fryteve të tokës sate. Nuk do ta gatuash kecin në qumështin e nënës së tij".

27 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaji këto fjalë, sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin".

28 Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet.

29 Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëllyese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin.

30 Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëllyese dhe ata kishin frikë t’i afroheshin atij.

31 Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre.

32 Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai.

33 Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij.

34 Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin deri sa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte.

35 Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, deri sa hynte të fliste me Zotin.

Gjoni 13

13 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.

Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,

Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,

u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.

Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?.”

Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”

Pjetri i tha: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigi: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”

Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”

10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: “A e kuptoni këtë që ju kam bërë?

13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.

14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17 Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.

18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".

19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.

20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.”

21 Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë.”

22 Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.

23 Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.

24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.

25 Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: “Zot, kush është?.”

26 Jezusi u përgjigj: “Éshtë ai të cilit do t’i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer.” Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.

27 Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!.”

28 Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.

29 Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: “Bli gjërat që na duhen për festën”; ose që t’u jepte diçka të varfërve.

30 Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.

31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.

32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.

33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.

34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”

36 Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?.” Jezusi iu përgjigj: “Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 Pjetri i tha: “Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!.”

38 Jezusi iu përgjigj: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!.”

Fjalët e urta 10

10 Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.

Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.

Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.

Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.

Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.

Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.

Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar.

10 Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

11 Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

12 Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

13 Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

14 Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.

15 Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.

16 Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.

17 Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.

18 Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.

19 Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.

20 Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.

21 Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.

22 Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.

23 Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.

24 Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.

25 Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.

26 Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.

27 Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.

28 Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.

29 Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.

30 I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.

31 Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet.

32 Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.

Efesianëve 3

Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,

dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;

se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.

Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,

që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,

që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,

shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m’u dha në sajë të fuqisë së tij.

Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,

dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;

10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,

11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,

12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.

13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

16 që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,

17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,

21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.