M’Cheyne Bible Reading Plan
17 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin.
2 Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?".
3 Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhee bagëtia jonë?".
4 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë".
5 Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu.
6 Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit.
7 Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".
8 Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim.
9 Dhe Moisiu i tha Jozueut: "Zgjidh për ne disa burra dhe dil për të luftuar kundër Amalekut; nesër do të jem në majë të kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë".
10 Jozueu bëri ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe luftoi kundër Amalekut, ndërsa Moisiu, Aaroni dhe Huri u ngjitën në majë të kodrës.
11 Dhe ndodhi që, kur Moisiu ngrinte dorën e tij, Izraeli fitonte; përkundrazi, kur e ulte dorën, fitonte Amaleku.
12 Por duart e Moisiut ishin rënduar, kështu që ata morën një gur dhe ia vunë poshtë, ai u ul mbi të ndërsa Aaroni dhe Huri ia mbanin duart, njëri nga një krah, tjetri nga krahu tjetër; kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit.
13 Prandaj Jozueu mundi Amalekun dhe njerëzit e tij, duke i prerë me shpata.
14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë, dhe njofto Jozueun që unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiellin".
15 Moisiu ndërtoi pastaj një altar, të cilit i vuri emrin: "Zoti është flamuri im"; dhe tha:
16 "Dora u ngrit kundër fronit të Zotit, dhe Zoti do t’i bëjë luftë Amalekut brez pas brezi".
20 Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
2 dhe i thanë: “Na trego me ç’autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?.”
3 Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes një gjë dhe ju m’u përgjigjni:
4 Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?.”
5 Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
6 Kurse po t’i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet.”
7 Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
8 Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.”
9 Pastaj filloi t’i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.
10 Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t’i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.
11 Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.
12 Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.
13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".
14 Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".
15 Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç’do t’u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?
16 Ai do të vijë, do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.” Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë.”
17 Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: “Ç’është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
18 Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet.”
19 Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
20 Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
21 Këta e pyetën duke thënë: “Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
22 A është e lejueshme për ne t’i paguajmë taksë Cezarit apo jo?.”
23 Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: “Përse më provokoni?
24 Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?.” Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: “E Cezarit.”
25 Atëherë ai u tha atyre: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.”
26 Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.
27 Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,
28 duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t’i ngjallë pasardhës vëllait të vet.
29 Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
30 I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.
31 E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.
32 Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.
33 Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua.”
34 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;
35 por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;
36 ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
37 Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.
38 Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të.”
39 Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: “Mësues, mirë fole.”
40 Dhe nuk guxuan më t’i bëjnë asnjë pyetje.
41 Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?
42 Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
43 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".
44 Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?.”
45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:
46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;
47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë.”
35 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:
2 "A të duket një gjë e drejtë kur thua: "Jam më i drejtë se Perëndia"?
3 Në fakt ke thënë: "Ç’dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?".
4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.
5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.
6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?
7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?
8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t’i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.
9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;
10 por asnjeri nuk thotë: "Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,
11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?"
12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.
13 Me siguri Perëndia nuk ka për t’i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t’jua vërë veshin.
14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.
15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,
16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye".
5 Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.
2 Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore,
3 nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur.
4 Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta.
5 Dhe ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe kaparin e Frymës.
6 Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,
7 sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.
8 Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.
9 Prandaj edhe përpiqemi t’i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.
10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.
11 Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit dhe jemi njohur nga Perëndia; dhe unë shpresoj se edhe në ndërgjegjet tuaja të jemi njohur.
12 Sepse ne nuk e rekomandojmë përsëri veten ndaj jush, por ju japim rastin të krenoheni për ne, që të keni çfarë t’u përgjigjeni atyre që krenohen me dukjen dhe jo me zemër.
13 Sepse, nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë, dhe në qoftë se jemi me mend në kokë, jemi për ju.
14 Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur;
15 dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.
16 Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu.
17 Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.
18 Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit,
19 sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit.
20 Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!
21 Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.