M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Pas kësaj, Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Lëre popullin tim të shkojë, me qëllim që të kremtojë për mua një festë në shkretëtirë"".
2 Por Faraoni u përgjigj: "Kush është Zoti që unë duhet t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Zotin dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë".
3 Atëherë ata i thanë: "Perëndia i Hebrenjve na doli përballë; tani na lër të ecim tri ditë me radhë në shkretëtirë që të bëjmë një flijim për Zotin, që është Perëndia ynë, që ai të mos na godasë me murtajë ose me shpatë".
4 Mbreti i Egjiptit u tha atyre: "Pse vallë Moisiu dhe Aaroni e largojnë popullin nga puna e tij? Kthehuni në mundimet tuaja!".
5 Faraoni tha përsëri: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij".
6 Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:
7 "Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!
8 Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".
9 I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".
10 Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t’ju jap më kashtë.
11 Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".
12 Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.
13 Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".
14 Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".
15 Atëherë kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit erdhën për të protestuar te Faraoni, duke thënë: "Pse sillesh kështu me shërbëtorët e tu?
16 Nuk u jepet më kashtë shërbëtorëve të tu, dhe na thuhet: "Bëni tulla!". Dhe ja, shërbëtorët e tu i rrahin, por faji është i popullit tënd".
17 Atëherë ai u përgjigj: "Jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye thoni: "Të bëjmë fli për Zotin".
18 Shkoni, pra, të punoni! Nuk do t’ju jepet kashtë, por do të dorëzoni po atë sasi tullash".
19 Kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit u bindën se i gjeti halli, sepse u thuhej: "Mos e pakësoni në asnjë mënyrë numrin e caktuar të tullave për çdo ditë".
20 Pastaj, si dolën nga Faraoni, takuan Moisiun dhe Aaronin, që po i prisnin,
21 dhe u thanë atyre: "Le t’i hedhë sytë Zoti mbi ju dhe le të gjykojë, sepse na keni bërë të urryer në sytë e Faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij duke vënë në duart e tyre shpatën për të na vrarë".
22 Atëherë Moisiu u kthye te Zoti dhe i tha: "O Perëndi, pse e fute në halle këtë popull? Pse pra më dërgove?
23 Sepse, qysh prej ditës që vajta te Faraoni, për t’i folur në emrin tënd, ai i ka bërë të keqe këtij populli dhe ti nuk e çlirove aspak popullin tënd".
8 Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,
2 dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë,
3 Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.
4 Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:
5 “Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
6 Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.
7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.
8 Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.” Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
9 Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.
10 Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.
11 Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë.
12 Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.
13 Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen.
14 Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.
15 Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”
16 “Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë.
17 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë.
18 Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t’i jepet, kurse atij që nuk ka, do t’i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka.”
19 Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës.
20 Dhe nga disa i ishte thënë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin.”
21 Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë.”
22 Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: “Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit.” Dhe ata u larguan nga bregu.
23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.
24 Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, Mësues, po mbytemi!.” Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.
25 Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: “Ku është besimi juaj?.” Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: “Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?.”
26 Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;
27 dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
28 Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: “Ç’ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!.”
29 Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.
30 Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: “Si e ke emrin?.” Dhe ai u përgjigj: “Legjion.” Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.
31 Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.
32 Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t’i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
33 Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.
34 Kur panë ç’ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.
35 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.
36 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.
37 Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
38 Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:
39 “Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty.” Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.
40 Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.
41 Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,
42 sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.
43 Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,
44 iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
45 Dhe Jezusi tha: “Kush më preku?.” Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: “Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?".”
46 Por Jezusi tha: “Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje.”
47 Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.
48 Dhe ai i tha: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!.”
49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin.”
50 Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: “Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë.”
51 Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.
52 Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: “Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle.”
53 Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
54 Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë, çohu!.”
55 Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t’i jepnin të hante.
56 Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç’kishte ndodhur.
22 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
2 "A mundet vallë njeriu t’i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.
3 Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?
4 Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?
5 Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?
6 Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.
7 Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.
8 Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.
9 E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.
10 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,
11 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.
12 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!
13 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?
14 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".
15 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,
16 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?
17 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".
18 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.
19 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;
20 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.
21 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.
22 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.
23 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua
24 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,
25 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.
26 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.
27 Do t’i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.
28 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.
29 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin
30 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".
9 A s’jam unë apostull? A s’jam unë i lirë? Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?
2 Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, së paku për ju unë jam; sepse ju jeni vula e apostullimit tim në Zotin.
3 Kjo është mbrojtja ime ndaj atyre që më hetojnë.
4 A nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë?
5 A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, edhe Kefa?
6 Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë të mos punojmë?
7 Kush, vallë, shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush mbjell vresht dhe nuk ha nga fryti i tij? Kush kullot një tufë dhe nuk ha nga qumështi i tufës?
8 A i them këto si njeri? A nuk i thotë këto edhe ligji?
9 Sepse në ligjin e Moisiut është shkru-ar: “Mos ia lidh gojën kaut që shin.” A u merrka Perëndia me qetë, vallë?
10 Apo e thotë këtë për ne? Vërtetë për ne janë shkruar, sepse kush lëron duhet të lërojë me shpresë, dhe kush shin, duhet të shijë me shpresë që të marrë atë që shpreson.
11 Në qoftë se ne kemi mbjellë midis jush gjërat frymërore, a është gjë e madhe nëse korrim të mirat tuaja materiale?
12 Në qoftë se të tjerë kanë pjesë të kësaj të drejte mbi ju, a nuk do ta kishim ne shumë më tepër? Po ne nuk e përdornim këtë të drejtë; po durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit.
13 Nuk e dini ju se ata që kryejnë shërbesën e shenjtë hanë nga gjërat e tempullit, dhe ata që i shërbejnë altarit marrin pjesë nga të mirat e altarit?
14 Kështu edhe Zoti urdhëroi që ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë.
15 Por unë nuk përdora asnjë nga këto gjëra as nuk i shkrova, që kështu të më bëhet, sepse për mua është më mirë të vdes se sa dikush ta bëjë të kotë të mburrurit tim.
16 Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!
17 Sepse, po e bëra këtë vullnetarisht, do të kem një pagë; por po ta bëj kundër dëshirës, mbetet gjithnjë një detyrë që më është besuar.
18 Cila, pra, është paga ime? Që, duke predikuar ungjillin ta bëj ungjillin të ofruar falas, pa e përdorur për keq pushtetin tim në ungjillin.
19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.
20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj;
21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj.
22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.
23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij.
24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.
25 Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.
26 Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën;
27 madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.