Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Eksodi 2

Por një njeri i shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një bijë të Levit.

Dhe gruaja u ngjiz dhe lindi një bir; dhe, duke parë që ishte i bukur, e mbajti fshehur tre muaj.

Por, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit.

Motra e fëmijës rrinte në një farë largësie për të mësuar se çfarë do t’i ndodhte.

Por vajza e Faraonit zbriti për t’u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë.

E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: Ky është një fëmijë hebree".

Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: "A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?".

E bija e Faraonit iu përgjegj: "Shko". Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës.

Dhe bija e Faraonit i tha: "Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde". Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi.

10 Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: "Sepse unë e nxora nga uji".

11 Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një Egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij.

12 Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau Egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë.

13 Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?".

14 Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave Egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë".

15 Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Madianit; dhe u ul afër një pusi.

16 Por prifti i Madianit kishte shtatë bija; dhe ato erdhën për të mbushur ujë dhe për të mbushur koritat për t’i dhënë të pijë kopesë së atit të tyre.

17 Por erdhën disa barinj dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit dhe u erdhi në ndihmë, duke i dhënë të pijë kopesë së tyre.

18 Kur shkuan te Reueli, ati i tyre, ai u tha: "Vallë si u kthyet kaq shpejt sot?".

19 Ato u përgjigjën: "Një Egjiptas na liroi nga duart e barinjve; përveç kësaj mbushi ujë për ne dhe i dha të pijë kopesë".

20 Atëherë ai u tha bijave të tij: "Po ai ku është? Pse e latë këtë njeri? Thirreni, të vijë të hajë".

21 Dhe Moisiu pranoi të banojë tek ai njeri; dhe ai i dha Moisiut për grua bijën e tij, Seforën.

22 Pastaj ajo lindi një bir që ai e quajti Gershom, sepse tha: "Unë jam mik në dhe të huaj".

23 Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia.

24 Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin.

25 Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta.

Luka 5

Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,

pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.

Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.

Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: “Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: “Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.

Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.

Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar.”

Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.

10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.”

11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.

12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”

13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.

14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”

15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.

16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.

17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.

18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.

19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.

20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur.”

21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?.”

22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: “Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja?

23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur," apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?

24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!.”

25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.

26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: “Sot pamë gjëra të mahnitshme.”

27 Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë.”

28 Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.

29 Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.

30 Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: “Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?.”

31 Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.

32 Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët.”

33 Atëherë ata i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?.”

34 Ai u përgjigj atyre: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?

35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.”

36 Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: “Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.

37 Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.

38 Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.

39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë".”

Jobi 19

19 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?

U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.

Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.

Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,

mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.

Ja, unë bërtas: "Dhunë!," por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!

Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.

Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.

10 Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.

11 Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.

12 Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.

13 Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.

14 Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.

15 Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.

16 Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t’i lutem me gojën time.

17 Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.

18 Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.

19 Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.

20 Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.

21 Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.

22 Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?

23 Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;

24 sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!

25 Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.

26 Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.

27 Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.

28 Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,

29 ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".

1 e Korintasve 6

A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?

A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!

Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.

Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?

Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.

Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?

Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,

10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.

12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.

13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.

14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.

15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!

16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.

18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.