M’Cheyne Bible Reading Plan
3 Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.
2 Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.
3 Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".
4 Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".
5 Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".
6 Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.
7 Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.
8 Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen Kananejtë, Hitejtë, Amorejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.
9 Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si Egjiptasit i shtypin.
10 Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".
11 Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".
12 Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal".
13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju," po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?," ç’përgjigje duhet t’u jap?".
14 Perëndia i tha Moisiut: "UNÉ JAM AI QÉ JAM". Pastaj tha: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju"".
15 Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhee Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë".
16 Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m’u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt;
17 dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t’ju çoj në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".
18 Dhe ata do t’i binden zërit tënd; dhe ti dhe pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit dhe do t’i thoni: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve na doli përpara; dhe tani na lër të shkojmë dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t’i bëjmë fli Zotit, Perëndisë tonë".
19 Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni, veç po të jetë i shtrënguar nga një dorë e fuqishme.
20 Atëherë unë do të shtrij dorën time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai do t’ju lërë të ikni.
21 Dhe do t’i jap këtij populli të mira para syve të Egjiptasve; dhe do të ndodhë që kur të niseni, nuk do të shkoni duarbosh;
22 por çdo grua do t’i kërkojë fqinjës së saj dhe gruas që banon në shtëpinë e saj sende argjendi, sende ari dhe rroba; dhe ju do t’ua vini në shtat bijve dhe bijave tuaja; kështu do t’i zhvishni Egjiptasit".
6 Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.
2 Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?.”
3 Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?
4 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t’i hante, përveç priftërinjve?.”
5 Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".
6 Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
7 Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
8 Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: “Çohu dhe dil këtu në mes.” Dhe ai u ngrit në këmbë.
9 Pastaj Jezusi u tha atyre: “Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?.”
10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
11 Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç’mund t’i bënin Jezusit.
12 Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.
13 Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:
14 Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,
15 Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,
16 Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e veta;
18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.
19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.
20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.”
21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.
22 Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, do t’ju mallkojnë dhe do t’ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.
23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.
24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!
26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.
27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.
28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.
30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.
31 Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.
32 Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.
34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë.
35 Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.
36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.
38 Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.”
39 Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?
40 Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.
41 Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?
42 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd," kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd.
43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.
44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.
45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.
46 Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?
47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.
48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.
49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh.”
20 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
2 "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.
3 Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.
4 A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,
5 triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?
6 Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,
7 ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".
8 Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.
9 Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.
10 Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.
11 Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.
12 Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,
13 nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.
14 Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.
15 Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t’ia nxjerrë nga barku.
16 Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.
17 Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.
18 Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.
19 Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.
20 Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.
21 Asgjë nuk do t’i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.
22 Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.
23 Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.
24 Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.
25 Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.
26 Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.
27 Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.
28 Të ardhurat e shtëpisë së tij do t’i merren, do t’i marrin në ditën e zemërimit të tij.
29 Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.
7 Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.
2 Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.
3 Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.
4 Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.
5 Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.
6 Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,
7 sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.
8 Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,
9 por në qoftë se s’kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.
10 Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,
11 dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.
12 Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.
13 Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,
14 sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.
15 Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.
16 Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?
17 Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.
18 A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.
19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.
20 Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.
21 A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.
22 Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.
23 Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.
24 Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.
25 Por për sa u takon virgjëreshave, s’kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.
26 Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.
27 Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.
28 Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t’ju kursej juve.
29 Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;
30 dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;
31 dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.
32 Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t’i pëlqejë Zotit;
33 por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë gruas së tij.
34 Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë burrit.
35 Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t’ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t’i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.
36 Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.
37 Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë.
38 Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë.
39 Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.
40 Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.