M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij:
2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,
3 Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,
4 Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri.
5 Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt).
6 Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez.
7 Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.
8 Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.
9 Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne.
10 Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi".
11 Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses.
12 Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit,
13 dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi,
14 dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi.
15 Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha:
16 "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë".
17 Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj.
18 Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?".
19 Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t’u vijë mamia pranë".
20 Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.
21 Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete.
22 Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".
4 Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
2 ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
3 Dhe djalli i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë.”
4 Por Jezusi u përgjigj duke thënë: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë".”
5 Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
6 Dhe djalli i tha: “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
7 Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja.”
8 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij".”
9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
10 sepse është shkruar: "Ai do t’u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur".”
12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”
13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.
14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
15 Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.”
20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”
22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?.”
23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: Mjek, shëro veten tëndee"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.”
24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian.”
28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.
31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.
32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
34 “Ah, ç’ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!.”
35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.” Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!.”
37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.
38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.
43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”
44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.
18 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
2 "Kur do t’u japësh fund fjalëve? Bëhu i zgjuar dhe pastaj flasim.
3 Pse jemi konsideruar si kafshë dhe jemi konsideruar të përçmuar në sytë e tu?
4 Ti që ha veten nga zemërimi, a duhet të braktiset toka për shkakun tënd apo shkëmbi të luajë nga vendi i tij?
5 Po, drita e të keqit shuhet dhe flaka e zjarrit të tij nuk ndrit më.
6 Drita në çadrën e tij po meket dhe llamba e tij mbi të po shuhet.
7 Hapat e tij të fuqishëm shkurtohen dhe vetë planet e tij po e çojnë në greminë.
8 Sepse këmbët e tij e shtyjnë në rrjetë dhe ai do të bjerë në ndonjë lak.
9 Një çark e kap nga thembra dhe një lak e mban fort.
10 Për të ka një lak të fshehur në tokë dhe një çark të vënë në shteg.
11 Gjëra të tmerrshme e trembin nga çdo anë dhe e ndjekin në çdo hap.
12 Forca e tij pakësohet për shkak të urisë dhe shkatërrimi është gati ta godasë anash.
13 Gëlltit copa të lëkurës së tij; i parëlinduri i vdekjes gllabëron gjymtyrët e tij.
14 Atë e rrëmbejnë nga çadra tij që e dinte të sigurt dhe e çojnë para mbretit të tmerrit.
15 Në çadrën e tij banon ai që nuk është nga të vetët, dhe mbi shtëpinë e tij hedhin squfur.
16 Rrënjët poshtë thahen dhe degët lart priten.
17 Kujtimi i tij zhduket nga toka dhe emri i tij nuk do të përmendet më nëpër rrugë.
18 Ai shtyhet nga drita në terr dhe atë e përzënë nga bota.
19 Nuk ka as bij, as pasardhës në popullin e tij dhe asnjë që të mbijetojë në banesën e tij.
20 Fundi i tij i lë të habitur ata që e kanë ndjekur dhe mbeten të tmerruar ata që e kanë pararendur.
21 Pikërisht kështu janë banesat e njerëzve të këqij, dhe ky është vendi i atij që nuk e njeh Perëndinë". Përgjigja e pestë e Jobit; ai e ndjen veten të përqeshur; gjithçka është kundër tij
5 Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.
2 Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.
3 Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë.
4 Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
5 vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus.
6 Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?
7 Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.
8 Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.
9 Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,
10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.
11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.
12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.