M’Cheyne Bible Reading Plan
42 Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: Pse shikoni njëri-tjetrin??".
2 Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim".
3 Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë.
4 Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi".
5 Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e Kanaanëve mbretëronte zija.
6 Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë.
7 Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u suall me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime".
8 Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.
9 Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura tëë vendit!".
10 Ata iu përgjegjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime.
11 Jemi të gjithë bijtë e të njejtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë".
12 Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
13 Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më".
14 Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë!
15 Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu.
16 Dërgoni njerin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; për ndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!".
17 Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.
18 Ditën e tretë, Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe do të jetoni; unë kam frikë nga Perëndia!
19 Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t’u çoni grurë familjeve tuaja që vdesin urie;
20 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur". Dhe ata vepruan kështu.
21 Atëherë i thonin njëri-tjetrit: "Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi".
22 Rubeni iu përgjegj atyre duke thënë: "A nuk ju thoja unë: "Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!"? Por ju nuk më dëgjuat. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij".
23 Ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse midis tij dhe atyre kishte një përkthyes.
24 Atëherë ai u largua nga ata dhe qau. Pastaj u kthye pranë tyre dhe u foli; mori Simeonin dhe vuri ta lidhnin me zinxhir para syve të tyre.
25 Pastaj Jozefi urdhëroi të mbushnin me grurë thasët e tyre, të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t’u jepnin ushqime për udhëtimin. Dhe kështu u bë.
26 Ata ngarkuan, pra, grurin mbi gomarët e tyre dhe u larguan.
27 Tani, në vendin ku po kalonin natën, njëri prej tyre hapi trastën e vet për t’i dhënë ushqim gomarit të tij dhe pa aty brenda paratë e veta, që ishin në grykë të trastës;
28 kështu iu drejtua vëllezërve të tij: "Paratë e mia m’u rikthyen; ja ku janë në trastën time". Atëherë, zemërvrarë dhe të trembur, i thonin njëri-tjetrit: "Ç’është vallë kjo që na bëri Perëndia?".
29 Kështu arritën te Jakobi, ati i tyre, në vendin e Kanaanit dhe i treguan të gjitha ato që kishin ndodhur, duke thënë:
30 "Njeriu, që është zot i vendit, na foli ashpër dhe na trajtoi si spiunë të vendit.
31 Dhe ne i thamë: "Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë;
32 jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të atit tonë; njëri nuk është më dhe më i riu ndodhet sot me atin tonë në vendin e Kanaanit".
33 Por ai njeri, zoti i vendit, na tha: "Nga kjo do të provoj nëse jeni njerëz të ndershëm: lini pranë meje një prej vëllezërve tuaj, merrni me vete ushqime për familjen tuaj që po vdes nga uria dhe shkoni;
34 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël. Kështu do të provoj që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm; unë do t’ju kthej vëllanë tuaj dhe ju do të keni mundësi të bëni tregëti këtu"".
35 Ndërsa ata po zbraznin trastat e tyre, ja që pakot e parave të secilit ishin në trastën e secilit; kështu ata dhe ati i tyre i panë pakot e parave të tyre dhe i zuri frika.
36 Atëherë Jakobi, ati i tyre, tha: "Ju më keni lënë pa bijtë e mi! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më, dhe doni të më hiqni edhe Beniaminin! E tërë kjo rëndon mbi mua!".
37 Rubeni i tha të atit: "Po nuk ta ktheva, urdhëro të vriten dy bijtë e mi. Besoma mua, unë do të ta kthej".
38 Por Jakobi u përgjigj: "Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe mbeti vetëm ky: po t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të kallnit në varr pleqërinë time të dhembshme".
12 Pastaj ai filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg.
2 Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit.
3 Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh.
4 Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar.
5 Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë.
6 I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt".
7 Por ata vreshtarë i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia".
8 Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9 Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t’i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
10 Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes.
11 Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?.”
12 Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën.
13 Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë.
14 Këta erdhën dhe i thanë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjëshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t’ia paguajmë apo jo?
15 Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: “Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!.”
16 Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.” Ata i thanë: “E Cezarit.”
17 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.” Dhe ata u çuditën nga ai.
18 Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë:
19 “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i lindur pasardhës vëllait të tij.
20 Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
21 E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti.
22 Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja.
23 Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua.”
24 Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?
25 Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.
26 Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"?
27 Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë.”
28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”
29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"
30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.
31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”
32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;
33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”
34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.
35 Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?
36 Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".
37 Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?.” Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.
38 Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe,
39 dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,
40 që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!.”
41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.
42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.
43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.
44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”
8 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
2 "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?
3 A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?
4 Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.
5 Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,
6 në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.
7 Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,
8 e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;
9 ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.
10 A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?
11 A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?
12 Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.
13 Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.
14 Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.
15 Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.
16 Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;
17 dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.
18 Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!".
19 Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.
20 Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.
21 Ai do t’i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.
22 Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".
12 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
7 nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
8 dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.
9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.
10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.
11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,
12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;
13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.
17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”
20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”
21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.