Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 39

39 Ndërkaq Jozefi u çua në Egjipt; dhe Potifari, oficeri i Faraonit dhe kapiten i rojeve, një egjiptas, e bleu nga Ismaelitët që e kishin sjellë atje.

Zoti qe me Jozefin, dhe ky pasurohej dhe banonte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptasit.

Dhe zotëria e tij e pa që Zoti qe me të dhe që Zoti e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.

Kështu Jozefi fitoi hir në sytë e atij dhe hyri në shërbimin personal të Potifarit, që e emëroi kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe i la në dorë gjithçka zotëronte.

Nga çasti që e bëri kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe për gjithçka që zotëronte, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit; dhe bekimi i Zotit përfshiu gjithçka ai kishte në shtëpi dhe në fushë.

Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse.

Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: "Bjerë e fli me mua".

Por ai e refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, zotëria ime nuk shqetësohet për ato që ka lënë në shtëpi me mua dhe ka lënë në duart e mia gjithçka zotëron.

Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?".

10 Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t’i jepej asaj.

11 Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve.

12 Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: "Eja të shtrihesh me mua". Por ai ia la në dorë rroben e tij, iku duke vrapuar jashtë.

13 Kur ajo pa që ai ia kishte lënë në dorë rroben e tij dhe kishte ikur jashtë,

14 thirri shërbëtorët e vet dhe u tha: "Shikoni, ai na solli në shtëpi një hebre për t’u tallur me ne; ai erdhi tek unë për të rënë me mua, por unë bërtita me të madhe.

15 Me të dëgjuar që unë ngrita zërin dhe fillova të bërtas, ai la rrobën e tij pranë meje, iku dhe vrapoi jashtë".

16 Kështu ajo mbajti pranë saj rroben e tij, deri sa u kthye në shtëpi zotëria e saj.

17 Atëherë ajo i foli në këtë mënyrë: "Ai shërbëtor hebre, që ti na solle, erdhi tek unë për të më vënë në lojë.

18 Por sa ngrita zërin dhe bërtita, ai la rroben pranë meje dhe iku jashtë".

19 Kështu, kur zotëria e saj dëgjoi fjalët e gruas së vet që i fliste në këtë mënyrë duke thënë: "Shërbëtori yt më ka bërë këtë gjë!," ai u inatos.

20 Atëherë zotëria e Jozefit e mori dhe e futi në burg, në vendin ku ishin mbyllur të burgosurit e mbretit. Kështu ai mbeti në atë burg.

21 Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që t’i hynte në zemër drejtorit të burgut.

22 Kështu drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brënda.

23 Drejtori i burgut nuk kontrollonte më asgjë nga ato që i ishin besuar Jozefit, sepse Zoti ishte me të, dhe Zoti e bënte të mbarë gjithçka që ai bënte.

Marku 9

Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.”

Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.

Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.

Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.

Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!.”

Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.

Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!.”

Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.

Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.

10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.

11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?.”

12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të.”

14 Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta.

15 Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.

16 Atëherë ai i pyeti skribët: “Për çfarë po diskutoni me ta?.”

17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: “Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece,

18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s’e bënë dot.

19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: “O brez që s’beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Ma sillni këtu!.”

20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar.

21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: “Sa kohë ka që i ndodh kështu?.” Dhe ai tha: “Që në fëmijëri.

22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!.”

23 Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”

24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.”

25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: “O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!.”

26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: “Ka vdekur.”

27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?.”

29 dhe ai u tha atyre: “Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim.”

30 Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.

31 Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë.”

32 Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.

33 Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?.”

34 Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.

35 Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:

37 “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar”

38 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: “Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek.”

39 Por Jezusi tha: “Mos ia ndaloni, sepse s’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua.

40 Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.

41 Në fakt, kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet.”

42 “Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det.

43 Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

44 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

45 Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, se sa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në Gehena, në zjarrin e pashueshëm,

46 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket.

47 Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit,

48 atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zja-rri nuk fiket.

49 Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë.

50 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!.”

Jobi 5

"Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t’i drejtohesh?

Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë.

E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij.

Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t’i mbrojë.

I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij.

Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka;

por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t’u ngjitur lart.

Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t’i besoja çështjen time,

atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta,

10 që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat;

11 që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë.

12 I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre;

13 i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym.

14 Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë;

15 por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre.

16 Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij.

17 Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit;

18 sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë.

19 Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.

20 Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës.

21 Do t’i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi.

22 Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut;

23 sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty.

24 Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë.

25 Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave.

26 Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh.

27 Ja ç’kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito".

Romakëve 9

Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote.”

Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir.”

10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

11 (sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

12 iu tha asaj: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit,”

13 siç është shkruar: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun.”

14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”

16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun.”

18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.

19 Ti do të më thuash, pra: “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t’i rezistojë vullnetit të tij?.”

20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: “Përse më bërë kështu?.”

21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?

22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?

23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,

24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?

25 Ashtu si thotë ai te Osea: “Unë do ta quaj popullin tim atë që s’ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.

26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im," atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë.”

27 Por Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet.”

28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.

29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: “Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t’i kishim ngjarë Gomorës.”

30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,

31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.

32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,

33 ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet.”