M’Cheyne Bible Reading Plan
4 Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t’i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"".
2 Atëherë Zoti i tha: "Ç’është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjegj: "Një bastun".
3 Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap.
4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun).
5 "Këtë ke për të bërë," tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur".
6 Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.
7 Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.
8 "Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë.
9 Por, në rast se ata nuk do t’u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t’i binden zërit tënd, ti atëhere merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë".
10 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend".
11 Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?
12 Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash".
13 Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!".
14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, Leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndjejë gëzim në zemër të vet.
15 Ti do t’i flasësh dhe do t’i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t’ju mësoj atë që duhet të bëni.
16 Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia.
17 Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë".
18 Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: "Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë". Dhe Jethro i tha Moisiut: "Shko në paqe".
19 Zoti i tha Moisiut në Madian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur".
20 Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë.
21 Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.
22 Dhe ti do t’i thuash Faraonit: "Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im".
23 Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd".
24 Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste.
25 Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu prepucin e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: "Ti për mua je një dhëndër në gjak!".
26 Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: "Ti je një dhëndër gjakatar," për shkak të rrethprerjes.
27 Zoti i tha Aaronit: "Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun". Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi.
28 Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte.
29 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit.
30 Dhe Aaroni tregoi tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe bëri mrekullitë në sy të popullit.
31 Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që Zoti kishte vizituar bijtë e Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe u përkulën dhe e adhuruan.
7 Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.
2 Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.
3 Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.
4 Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: “Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,
5 sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën.”
6 Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t’i thënë: “Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.
7 Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
8 Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko," dhe ai shkon; dhe një tjetri: Eja,," dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë," dhe ai e bën.”
9 Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: “Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.”
10 Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.
11 Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.
12 Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.
13 Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: “Mos qaj!”
14 U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: “Djalosh, unë të them, çohu!.”
15 Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.
16 Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: “Midis nesh doli një profet i madh” dhe: “Perëndia e vizitoi popullin e vet.”
17 Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth.
18 Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.
19 Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t’i thënë: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?.”
20 Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: “Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?".”
21 Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.
22 Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: “Shkoni dhe i thoni Gjonit ç’keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.
23 I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!.”
24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t’u thotë turmave për Gjonin: “Ç’dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?
25 Po, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.
26 Por, ç’dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.
27 Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".
28 Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.”
29 Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.
30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.
31 Atëherë Zoti tha: “Me çfarë t’i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?
32 U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".
33 Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: Ai ka një demonn".
34 Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".
35 Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj.”
36 Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.
37 Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.
38 Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t’ia lajë me lot këmbët dhe t’ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t’ia puthte e t’ia vajoste me vaj erëkëndshëm.
39 Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.
40 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë.” Dhe ai tha: “Fol, Mësues.”
41 Dhe Jezusi i tha: “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.
42 Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?.”
43 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë.” Dhe Jezusi i tha: “Gjykove drejt.”
44 Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lau këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë.
45 Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.
46 Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.
47 Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.”
48 Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur.”
49 Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: “Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?.”
50 Por Jezusi i tha asaj gruaje: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!.”
21 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2 "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.
3 Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.
4 A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?
5 Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.
6 Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.
7 Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?
8 Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.
9 Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.
10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.
11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.
12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.
13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.
14 Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.
15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t’i shërbejmë? Ç’përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".
16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.
17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?
18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?
19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.
20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!
21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?
22 A mundet ndokush t’i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?
23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;
24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.
25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.
26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.
27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.
28 Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".
29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?
30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.
31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?
32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.
33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.
34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".
8 Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.
2 Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë.
3 Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.
4 Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një.
5 Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),
6 për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.
7 Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.
8 Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak.
9 Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit.
10 Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt?
11 Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti.
12 Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.
13 Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim.