Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 1

Këto janë fjalët që Moisiu i drejtoi Izraelit matanë Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, përballë Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hatserothit dhe Zahabit.

Ka njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb, duke ndjekur rrugën e malit Seir, deri në Kadesh-Barnea.

Në vitin e dyzetë në muajin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, Moisiu u foli bijve të Izraelit, simbas porosive që i kishte dhënë Zoti,

mbas mundjes së Sihonit, mbretit të Amorejve që banonte në Heshbon, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej.

Matanë Jordanit, në vendin e Moabit, Moisiu filloi ta shpjegojë këtë ligj, duke thënë:

"Zoti, Perëndia ynë, na foli në Horeb dhe na tha: "Ju keni ndenjur mjaft afër këtij mali;

çoni çadrat, vihuni në lëvizje dhe shkoni në drejtim të krahinës malore të Amorejve dhe në drejtim të të gjitha vendeve të afërta me Arabahun, në krahinën malore dhe në ultësirën, në Negev e në bregun e detit, në vendin e Kananejve dhe në Liban, deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit.

Ja, unë e vura vendin para jush; hyni dhe shtjireni në dorë vendin që Zoti ishte betuar t’ua jepte etërve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, atyre dhe pasardhësve të tyre mbas tyre"".

"Në atë kohë unë ju fola dhe ju thashë: "Unë nuk mund ta mbaj i vetëm barrën që përfaqësoni ju të tërë.

10 Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar, dhe ja, sot jeni në numër të madh si yjet e qiellit.

11 Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju bëftë njëmijë herë më të shumtë, dhe ju bekoftë ashtu si ju ka premtuar!

12 Por si mundem unë, duke qenë i vetëm, të mbaj barrën tuaj, peshën tuaj dhe grindjet tuaja?

13 Zgjidhni nga fiset tuaja burra të urtë, me gjykim e me përvojë, dhe unë do t’i bëj prijës tuaj".

14 Dhe ju m’u përgjigjët, duke thënë: "Ajo që ti propozon të bësh është e mirë".

15 Atëherë mora prijësit e fiseve tuaja, njerëz të urtë dhe me përvojë, dhe i caktova si prijës tuaj, prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave, dhe oficerë të fiseve tuaja.

16 Në atë kohë u dhashë këtë urdhër gjykatësve tuaj, duke u thënë: "Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij.

17 Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë; çështjen që është shumë e vështirë për ju do të ma paraqisni mua, dhe unë do ta dëgjoj".

18 Në atë kohë unë ju urdhërova të gjitha gjërat që duhet të bënit".

19 "Pastaj u nisëm nga mali i Horebit dhe përshkuam gjithë atë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme që keni parë, duke u drejtuar nga krahina malore e Amorejve, ashtu si na kishte urdhëruar Zoti, Perëndia ynë, dhe arritëm në Kadesh-Barnea.

20 Atëherë ju thashë: "Keni arritur në krahinën malore të Amorejve, që Zoti, Perëndia ynë, na jep.

21 Ja, Zoti, Perëndia ynë, e ka vënë vendin para teje, ngjitu dhe shtjire në dorë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu; mos ki frikë dhe mos u ligështo".

22 Atëherë ju, të gjithë ju, u afruat pranë meje dhe më thatë: "Të dërgojmë disa njerëz para nesh që të vëzhgojnë vendin për ne dhe të na tregojnë rrugën nëpër të cilën ne duhet të ngjitemi dhe qytetet në të cilat duhet të hyjmë".

23 Ky propozim më pëlqeu, kështu mora dymbëdhjetë njerëz nga radhët tuaja, një për çdo fis.

24 Dhe ata u nisën, u ngjitën drejt maleve, arritën në luginën e Eshkolit dhe vëzhguan vendin.

25 Morën me vete disa fruta të vendit, na i sollën dhe na paraqitën raportin e tyre, duke thënë: "Vendi që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është i mirë"".

26 "Por ju nuk deshët të ngjiteni dhe ngritët krye kundër urdhërit të Zotit, Perëndisë tuaj;

27 dhe murmuritët në çadrat tuaja dhe thatë: "Zoti na urren, për këtë arsye na nxori nga vendi i Egjiptit për të na dorëzuar në duart e Amorejve dhe për të na shkatërruar.

28 Ku mund të shkojmë? Vëllezërit tonë na pezmatuan zemrën duke na thënë: Éshtë një popull më i madh dhe më shtatlartë se ne; qytetet janë të mëdha dhe të fortifikuara deri në qiell; pamë bile edhe bijtë e Anakimit".

29 Atëherë unë ju thashë: "Mos u trembni dhe mos kini frikë nga ata.

30 Zoti, Perëndia juaj, që shkon para jush, do të luftojë ai vetë për ju, ashtu si ka bërë para syve tuaj në Egjipt

31 dhe në shkretëtirë, ku ke parë se si Zoti, Perëndia yt, të ka shpënë ashtu si një njeri çon fëmijën e tij, gjatë gjithë rrugës që keni përshkuar deri sa arritët në këtë vend".

32 Megjithatë ju nuk patët besim tek Zoti, Perëndia juaj,

33 që shkonte në rrugë para jush për t’ju gjetur një vend ku të ngrinit çadrat, me zjarrin e natës dhe me renë e ditës, për t’ju treguar cilën rrugë duhet të ndiqnit.

34 "Kështu Zoti dëgjoi fjalët tuaja, u zemërua dhe u betua duke thënë:

35 Me siguri, asnjë nga njerëzit e këtij brezi të keq nuk do ta shohë vendin e mirë që jam betuar t’u jap etërve tuaj,

36 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut. Ai do ta shohë; atij dhe bijve të tij do t’u jap tokën që ai ka shkelur, sepse i ka shkuar pas Zotit plotësisht".

37 Edhe kundër meje Zoti u zemërua për fajin tuaj dhe tha: "As ti nuk ke për të hyrë;

38 por Jozueu, bir i Nunit, që qëndron para teje, ka për të hyrë; përforcoje, se ai do ta bëjë Izraelin ta zotërojë vendin.

39 Fëmijët tuaj, që ju thatë se do të bëhen pre e armiqve, që sot nuk njohin as të mirën as të keqen, janë ata që do të hyjnë; do t’jua jap atyre vendin dhe ata do ta zotërojnë.

40 Ju kthehuni prapa dhe shkoni nga shkretëtira, në drejtim të Detit të Kuq".

41 Atëherë ju u përgjigjët, duke më thënë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit. Ne do të ngjitemi dhe do të luftojmë pikërisht ashtu si ka thënë Zoti, Perëndia ynë". Dhe secili prej jush ngjeshi armët dhe filloi me guxim të ngjitet në drejtim të krahinës malore.

42 Dhe Zoti më tha: "U thuaj atyre: Mos u ngjitni dhe mos luftoni, sepse unë nuk jam midis jush, dhe ju do të mundeni nga armiqtë tuaj".

43 Unë jua thashë, por ju nuk më dëgjuat; bile ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, u sollët me mendjemadhësi dhe u ngjitët drejt krahinës malore.

44 Atëherë Amorejtë, që banojnë në këtë krahinë malore, dolën kundër jush, ju ndoqën si bëjnë bletët dhe ju prapsën nga Seiri deri në Hormah.

45 Pastaj ju u kthyet dhe filluat të qani përpara Zotit; por Zoti nuk mori parasysh ankimet tuaja dhe nuk ju dëgjoi.

46 Kështu mbetët shumë ditë në Kadesh, gjithë kohën që qëndruat atje".

Psalmet 81-82

81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

"O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

Isaia 29

29 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.

Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.

Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.

Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.

Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.

Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.

Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.

Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.

Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.

10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.

11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!," por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".

12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: Të lutem, lexoje këtë!,," por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".

13 Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,

14 prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket".

15 Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t’ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"

16 I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarësi"?

17 Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll.

18 Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë.

19 Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit.

20 Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi,

21 që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.

22 Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do tëë zverdhet më;

23 por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.

24 Ata që kanë frymë të përdalë do të arrijnë të kenë gjykim dhe murmuruesit do të mësojnë doktrinën e shëndoshë".

3 Gjonit

Plaku, Gajit shumë të dashur, të cilin unë e dua në të vërtetë.

Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt.

Sepse u gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën.

Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.

Shumë i dashur, ti vepron me besnikëri në të gjitha ato që bën për vëllezërit dhe të huajt.

Ata dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; dhe ti të bësh mirë të gujdesësh për udhëtimin e tyre në mënyrë të denjë për Perëndinë,

sepse ata dolën për emrin e tij, pa marrë asgjë nga johebrenjtë.

Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.

I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret.

10 Prandaj, po të vij, do t’i kujtoj atij veprat që bën, duke folur fjalë të liga kundër nesh; dhe duke mos u mjaftuar me këto, ai vetë nuk i pret vëllezërit dhe i ndalon ata që duan t’i presin e i përjashton nga kisha.

11 Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë.

12 Për Demetrin të gjithë dëshmojnë, madje edhe vetë e vërteta; edhe ne dëshmojmë për të, dhe ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë.

13 Kisha shumë për të të shkruar, por nuk dua të të shkruaj me bojë e penë;

14 por shpresoj të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht. Paqja me ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një për një.