M’Cheyne Bible Reading Plan
28 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Jepu këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Do të kujdeseni të më paraqisni në kohën e caktuar ofertën time, me ushqimin e flijimeve të mia të përgatitura me zjarr, me erë të këndshme për mua.
3 Dhe do t’u thuash atyre: Ky është flijimi i bërë me zjarr, që do t’i ofroni Zotit: dy qengja motakë pa të meta, si olokaust i përjetshëm.
4 Një qengj do ta ofrosh në mëngjes, ndërsa qengjin tjetër në të ngrysur;
5 dhe, si blatim i ushqimit, një të dhjetë efe majë mielli të përzier me një çerek hini vaji të papërzier.
6 Éshtë një olokaust i përjetshëm, i vendosur në malin Sinai, një flijim i bërë me zjarr dhe me erë të këndshme për Zotin.
7 Libacioni i tij do të jetë një çerek hini për çdo qengj; do t’ia derdhësh libacionin e pijeve dehëse Zotit në vendin e shenjtë.
8 Qengjin tjetër do ta ofrosh në të ngrysur; do ta ofrosh si blatimin e ushqimit të mëngjesit dhe libacionin; është një flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.
9 Ditën e shtunë do të ofroni dy qengja motakë, pa të meta dhe, si blatim i ushqimit, dy të dhjeta majë mielli të përziera me vaj bashkë me libacionin.
10 Éshtë olokausti i së shtunës, për çdo të shtunë, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit.
11 Në fillim të muajve tuaj do t’i ofroni si olokaust Zotit dy dema të vegjël, një dash, shtatë qengja motakë pa të meta
12 dhe tre të dhjeta majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për çdo dem të vogël, dy të dhjeta lule mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për dashin,
13 dhe një të dhjetë majë mielli të përzier me vaj si blatim i ushqimit për çdo qengj. Éshtë një olokaust me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
14 Libacionet do të jenë gjysmë hin vere për çdo dem të vogël, një e treta e hinit për çdo dash dhe një e katërta e hinit për çdo qengj. Ky është olokausti i çdo muaji, për të gjithë muajt e vitit.
15 Dhe do t’i ofrohet Zotit një kec si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit.
16 Ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë do të jetë Pashka për nder të Zotit.
17 Dhe ditën e pesëmbëdhjetë të atij muaji do të jetë festë. Shtatë ditë me radhë do të hahet bukë e ndorme.
18 Ditën e parë do të mbahet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë;
19 por do t’i ofroni si flijim të bërë me zjarr një olokaust Zotit: dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë, të cilët nuk duhet të kenë të meta,
20 së bashku me blatimin e ushqimit me majë mielli të përzier me vaj; do të ofroni tre të dhjeta për çdo dem të vogël dhe dy të dhjeta për një dash;
21 Do të ofroni një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat,
22 dhe do të ofroni një cjap si flijim për mëkatin, për të bërë shlyerjen për ju.
23 Do të ofroni këto flijime përveç olokaustit të mëngjesit, që është një olokaust i përjetshëm.
24 Kështu do të ofroni çdo ditë, për shtatë ditë me radhë, ushqimin e flijimit të përgatitur me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin. Do të ofrohet, përveç olokaustit të përjetshëm, bashkë me blatimin e tij.
25 Ditën e shtatë do të keni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë.
26 Ditën e marrjes së prodhimit të parë, kur do t’i paraqisni Zotit një blatim të ri ushqimor, në festën tuaj të javëve, do bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të kryeni asnjë punë të rëndë.
27 Atëherë do të ofroni si olokaust me erë të këndshme për Zotin dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë,
28 me blatimin e tyre ushqimor të përbërë nga majë mielli të përzier me vaj; tre të dhjeta për çdo dem të vogël, dy të dhjeta për dashin,
29 dhe një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat;
30 do të ofroni edhe një kec për të kryer shlyerjen për ju.
31 Do të ofroni këto flijime, veç olokaustit të përjetshëm me blatimin e tyre të ushqimit dhe libacionet e tyre. Duhet të jenë kafshë pa të meta.
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
19 Profecia mbi Egjiptin. Ja Zoti që kalëron mbi një re të lehtë dhe hyn në Egjipt. Idhujt e Egjiptit lëkunden para tij, dhe zemra e Egjiptasve po mpaket brenda tyre.
2 "Do t’i nxis Egjiptasit njëri kundër tjetrit, secili do të luftojë kundër vëllait të vet, dhe secili kundër të afërmit të tij, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.
3 Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.
4 Do ta dorëzoj Egjiptin në duart e një padroni të ashpër dhe një mbret mizor do të sundojë mbi të, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
5 Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterojë dhe do të thahet.
6 Lumenjtë do të bëhen të neveritshëm, kanalet e Egjiptit do të zbrazen dhe do të thahen, po kështu do të thahen edhe kallamishtet e xunkthat.
7 Luadhët pranë Nilit, në grykëderdhjen e tij dhe të gjitha arat e mbjella gjatë lumit do të thahen, do të fshihen dhe do të zhduken.
8 Peshkatarët do të rënkojnë, tërë ata që hedhin grepin në Nil do të ankohen dhe ata që hedhin rrjetat e tyre në ujë do të ligështohen.
9 Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çoroditen.
10 Themelet e tyre do të prishen dhe gjithë punëtorët me mëditje do të trishtohen.
11 Me siguri princat e Tsoanit janë budallenj; këshilltarët më të urtë të Faraonit japin këshilla të paarsyeshme. Si mund t’i thoni Faraonit: "Unë jam bir i njerëzve të urtë, bir i mbretërve të lashtë"?
12 Ku janë tani njerëzit e tu të urtë? Le të ta deklarojnë tani dhe të pranojnë atë që Zoti i ushtrive ka vendosur kundër Egjiptit.
13 Princat e Tsoanit janë bërë budallenj, princat e Nofit gabohen; ata që janë guri i qoshes në fiset e tij që e kanë bërë Egjiptin të marrë rrugë të gabuar.
14 Zoti ka përzier në mes të tij një frymë degjenerimi, dhe ata e kanë futur Egjiptin në rrugë të gabuar për çdo gjë, ashtu si dridhet i dehuri kur vjell.
15 Dhe asgjë nuk do të mund të bëjë Egjiptin: koka ose bishti, palma ose xunkthi.
16 Atë ditë Egjipti do të jetë si gratë, dhe do të dridhet dhe do të trembet përballë dorës që Zoti i ushtrive do të lëvizë kundër tij.
17 Vendi i Judës do të jetë tmerri i Egjiptit; sa herë që do të përmendet, ka për të qenë një tmerr i vërtetë për shkak të vendimit të marrë nga Zoti i ushtrive kundër tij.
18 Atë ditë do të ketë në vendin e Egjiptit pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Zotin e ushtrive; njeri nga këto do të quhet "qyteti i shkatërrimit".
19 Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit, dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij.
20 Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit; kur ata do t’i këlthasin Zotit për shkak të shtypësve të tyre, ai do t’u dërgojë atyre një shpëtimtar dhe një të fuqishëm që do t’i çlirojë.
21 Zoti do t’i shfaqet Egjiptit dhe Egjiptasit do ta njohin Zotin atë ditë; do t’i ofrojnë flijime dhe blatime ushqimore, do të bëjnë premtime solemne para Zotit dhe do t’i mbajnë ato.
22 Zoti do t’i godasë Egjiptasit, do t’i godasë dhe do t’i shërojë; ata do t’i kthehen Zotit që do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe do t’i shërojë.
23 Atë ditë do të ketë një rrugë nga Egjipti në Asiri; Asirët do të shkojnë në Egjipt, dhe Egjiptasit në Asiri, dhe Egjiptasit do të shërbejnë bashkë me Asirët.
24 Atë ditë Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë, do të jetë një bekim në mes të rruzullit.
25 Zoti i ushtrive do t’i bekojë, duke thënë: "I bekuar qoftë Egjipti populli im, Asiria vepër e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!".
20 Në vitin që Tartani erdhi në Ashdod, i dërguar nga Sargoni, mbret i Asirisë, ai luftoi kundër Ashdodit dhe e pushtoi.
2 Në atë kohë Zoti foli me anë të Isaias, birit të Amotsit, dhe i tha: Shko dhe hiqe thesin nga ijët e tua dhe hiqi këpucët nga këmbët e tuaa". Ai veproi kështu, duke shkuar lakuriq dhe zbathur.
3 Pastaj Zoti tha: "Ashtu si shërbëtori im Isaia shkoi lakuriq dhe zbathur gjatë tre vjetve si shenjë dhe paralajmërim kundër Egjiptit dhe Etiopisë,
4 kështu mbreti i Asirisë do t’i çojë robërit e Egjiptit dhe të internuarit e Etiopisë, të rinj dhe pleq, lakuriq dhe të zbathur, vithezhveshur për turp të Egjiptit.
5 Atëherë ata do të tremben dhe do të shushaten për shkak të Etiopisë, shpresës së tyre, dhe për shkak të Egjiptit, lavdisë së tyre.
6 Atë ditë banorët e kësaj krahine bregdetare do të thonë: "Ja, çfarë u ndodhi atyre te të cilët kishim mbështetur shpresën tonë dhe pranë të cilëve ishim strehuar për të kërkuar ndihmë, për t’u çliruar nga mbreti i Asirisë. Si do të shpëtojmë ne?".
1 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:
2 hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.
3 Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,
4 me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.
5 Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,
6 diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,
7 mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.
8 Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër.
10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.
11 Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
12 Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj vazhdimish këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë.
13 Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend,
14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht.
15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.
16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”
18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,
20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta.
21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.