M’Cheyne Bible Reading Plan
11 Por populli u ankua dhe kjo nuk tingëlloi mirë në veshët e Zotit; sa e dëgjoi, Zoti u zemërua, dhe zjarri i tij shpërtheu midis tyre dhe shkatërroi skajin e kampit.
2 Atëherë populli i bërtiti Moisiut; Moisiu iu lut Zotit dhe zjarri u shua.
3 Kështu ky vend u quajt Taberah, sepse zjarri i Zotit ishte ndezur midis tyre.
4 Dhe fundërrinën heterogjene që ishte midis popullit e pushtoi një lakmi e madhe; edhe bijtë e Izraelit filluan të ankohen dhe të thonë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë?
5 Nuk i harrojmë peshqit që i hanim falas në Egjipt, kastravecat, pjeprat, preshtë, qepët dhe hudhrat.
6 Por tani e tërë qënia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë tjetër veç kësaj mane".
7 Mana i ngjante farës së koriandrit dhe kishte pamjen e bdelit.
8 Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj.
9 Kur binte vesa mbi kamp natën, binte mbi të edhe mana.
10 Por Moisiu dëgjoi popullin që ankohej, në të gjitha familjet e tij, secili në hyrje të çadrës së vet; zemërimi i Zotit shpërtheu me të madhe dhe kjo nuk i pëlqeu aspak edhe Moisiut.
11 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para syve të tu për ta vënë barrën e gjithë këtij populli mbi mua?
12 Mos vallë unë e kam gjeneruar tërë këtë popull? Mos vallë kam qenë unë që e kam nxjerrë në dritë, që ti të më thuash: "Mbaje në prehrin tënd, ashtu si taja mban fëmijën që pi sisë, deri në vendin që ti u ke premtuar me betim etërve të tij"?
13 Ku mund të gjej mish për t’i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: "Na jep mish për të ngrënë!".
14 Unë nuk mund ta mbaj vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua.
15 Në qoftë se kjo është mënyra me të cilën ti dëshiron të më trajtosh, të lutem, më vrit menjëherë po të kem gjetur hir para syve të tu; por mos lejo që unë të shoh fatkeqësinë time!".
16 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty.
17 Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t’ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm.
18 Pastaj do t’i thuash popullit: Shenjtërohuni për nesër, dhe do të hani mish, sepse keni qarë në veshët e Zotit, duke thënë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim kaq mirë në Egjipt!". Prandaj Zoti do t’ju japë mish dhe ju do ta hani.
19 Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë,
20 por për një muaj të tërë, deri sa t’ju dalë nga hunda dhe t’ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë para tij, duke thënë: "Pse vallë dolëm nga Egjipti?"".
21 Atëherë Moisiu tha: "Ky popull, në mes të të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur, dhe ti ke thënë: "Unë do t’u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!".
22 Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që ta kenë një sasi të mjaftueshme?".
23 Zoti iu përgjegj Moisiut: "Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo".
24 Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes.
25 Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më.
26 Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp.
27 Një djalë shkoi me vrap t’ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kampp".
28 Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!".
29 Por Moisiu iu përgjegj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!".
30 Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.
31 Atëherë u ngrit një erë me urdhër të Zotit dhe solli shkurta nga ana e detit, dhe i la të binin pranë kampit, një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me një lartësi prej dy kubitësh mbi sipërfaqen e tokës.
32 Populli mbeti në këmbë gjithë atë ditë, tërë natën dhe tërë ditën vijuese, dhe mblodhi shkurtat. (Ai që mblodhi më pak pati dhjetë homer); dhe i shtrinë rreth e qark kampit.
33 Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë.
34 Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve.
35 Nga Kibroth-Hataavau populli u nis për në Haltseroth dhe u ndal në këtë vend.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
1 Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;
2 Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje.
3 Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend".
4 Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa.
5 Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon.
6 Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj.
7 Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë.
8 Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar.
9 Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t’i ngjisnim Gomorrës.
10 Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!
11 "Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej.
12 Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia?
13 Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.
14 Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar.
15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.
16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.
17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.
18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.
19 Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;
20 por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata," sepse goja e Zotit ka folur.
21 Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një prostitutë? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit.
22 Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë.
23 Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre.
24 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: "Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi.
25 Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd.
26 Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh "qyteti i drejtësisë," "qyteti besnik".
27 Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë.
28 Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen.
29 Atëherë do t’ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur.
30 Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë.
31 Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t’i shuajë".
9 Sigurisht edhe e para Besëlidhje kishte disa rregulla për shërbesën hyjnore dhe për shenjtëroren tokësore.
2 Sepse u ndërtua një tabernakull i parë, në të cilin ishte shandani, tryeza dhe bukët e paraqitjes; ai quhet: "Vendi i shenjtë".
3 Pas velit të dytë ishte tabernakulli, i quajtur "Vendi shumë i shenjtë" (Shenjtërorja e Shenjtërorëve),
4 që përmbante një tymtore prej ari edhe arkën e Besëlidhjes, të mbuluar nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte një enë e artë me manë, shkopi i Aaronit që kishte buluar dhe rrasat e Besëlidhjes.
5 Edhe sipër asaj ishin kerubinët e lavdisë që i bënin hije pajtuesit; për këto ne nuk do të flasim me hollësi tani.
6 Duke qenë të vendosura kështu këto gjëra, priftërinjtë hynin vazhdimisht në tabernakulli i parë për të kryer shërbesën hyjnore;
7 por në të dytin hynte vetëm kryeprifti një herë në vit, jo pa gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popu-llit të kryera në padije.
8 Në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë donte të tregonte se udha e shenjtërores ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë,
9 i cili është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme; dhe donte të tregonte se dhuratat dhe flijmet që jepeshin nuk mund ta bënin të përsosur në ndërgjegje atë që e kryente shërbesën hyjnore,
10 sepse kishte të bënte vetëm me ushqime, pije, larje të ndryshme, urdhërime mishi, të imponuara deri në kohën e ndryshimit.
11 Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,
12 hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.
13 Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,
14 aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!
15 Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar.
16 Sepse atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit.
17 Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes, sepse nuk ka kurrfarë fuqie deri sa trashëgimlënësi ende rron.
18 Prandaj edhe Besëlidhja e parë nuk u vërtetua pa gjak.
19 Sepse kur iu shpallën të gjitha urdhërimet sipas ligjit gjithë popullit nga Moisiu, ky mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin,
20 duke thënë: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.”
21 Gjithashtu ai me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore.
22 Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.
23 Ishte, pra, e nevojshme që format e gjërave qiellore të pastroheshin me këto gjëra; por vetë gjerat qiellore me flijime më të mira se këto.
24 Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne,
25 dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti,
26 sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë që kur se u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes.
27 Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,
28 kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.