Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 20

20 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit në muajin e parë dhe populli qëndroi në Kadesh. Këtu vdiq dhe u varros Miriami.

Por mungonte uji për asamblenë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit.

Kështu populli u grind me Moisiun dhe i foli, duke i thënë: "Të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Zotit!

Pse e çuat asamblenë e Zotit në këtë shkretëtirë që të vdesim, ne dhe bagëtia jonë?

Dhe pse na bëtë të dalim nga Egjipti për të na sjellë në këtë vend të keq? Nuk është një vend që prodhon grurë, fiq, rrush ose shegë dhe mungon uji për të pirë".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni u larguan nga asambleja për të vajtur në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe ranë përmbys me fytyrën për tokë; dhe lavdia e Zotit iu shfaq atyre.

Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t’u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre".

Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.

10 Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?".

11 Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë.

12 Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre".

13 Këto janë ujërat e Meribës ku bijtë e Izraelit u grindën me Zotin, dhe ky u tregua i Shenjtë në mes tyre.

14 Pastaj Moisiu dërgoi lajmëtarë në Kadesh te mbreti i Edomit për t’i thënë: "Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: Ti i njeh të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar,

15 si zbritën etërit tanë në Egjipt dhe ne qëndruam një kohë të gjatë në atë vend, dhe Egjiptasit na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë.

16 Por, kur i thirrëm Zotit, ai e dëgjoi zërin tonë dhe dërgoi një Engjëll dhe na nxori nga Egjipti; dhe tani jemi në Kadesh, një qytet në afërsi të kufijve tuaj.

17 Po na lejo të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të shkelim as arat as vreshtat tuaja, nuk do të pijmë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas, deri sa të kalojmë kufijtë e tu".

18 Por Edomi iu përgjigj: "Ti nuk do të kalosh nëpër territorin tim, përndryshe do të të kundërvihem me shpatë".

19 Bijtë e Izraelit i thanë: "Ne do të ngjitemi nga rruga kryesore; dhe në rast se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do të ta paguajmë; na lejo vetëm të kalojmë më këmbë dhe asgjë më tepër".

20 Por ai u përgjigj: "Nuk do të kaloni!".

21  Dhe Edomi refuzoi të lejojë kalimin e Izraelit nëpër territorin e tij; kështu Izraeli u largua prej tij.

22 Atëherë bijtë e Izraelit, tërë asambleja u nisën nga Kadeshi dhe arritën në malin Hor.

23 Dhe Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit në malin Hor, në kufijtë e vendit të Edomit, duke thënë:

24 "Aaroni po bashkohet me popullin e tij, dhe nuk ka për të hyrë në vendin që u kam dhënë bijve të Izraelit, sepse keni ngritur krye kundër urdhrit tim në ujërat e Meribës.

25 Merr Aaronin dhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoji lart, në malin e Horit.

26 Zhvishe Aaronin nga rrobat e tij dhe vishja të birit, Eleazarit; dhe aty Aaroni do të bashkohet me popullin e tij dhe do të vdesë".

27 Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti; dhe ata hipën mbi malin e Horit para syve të të gjithë asamblesë.

28 Moisiu ia zhveshi rrobat Aaronit dhe ia veshi Eleazarit, birit të tij; dhe Aaroni vdiq aty, në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali.

29 Kur tërë asambleja pa që Aaroni kishte vdekur, e tërë shtëpia e Izraelit e qau Aaronin për tridhjetë ditë.

Psalmet 58-59

58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?

Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.

Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.

Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,

për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.

O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.

U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.

U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.

Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.

10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.

11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

Isaia 9:8-10:4

Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin.

Tërë populli do ta njohë, Efraimi dhe banorët e Samarias, që në kryelartësinë e tyre dhe arrogancën e zemrës së tyre thonë:

10  "Tullat kanë rënë, por do ta rindërtojmë me gurë të latuar; fiqtë e Egjiptit janë prerë, por ne do t’i zëvendësojmë me kedra".

11  Për këtë Zoti do të nxisë kundër tij kundërshtarët e Retsinit dhe do të nxisë armiqtë e tij:

12  Sirët nga lindja, Filistejtë nga perëndimi, që do ta hanë Izraelin gojëhapur. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

13  Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive.

14  Prandaj Zoti do t’i presë Izraelit kokë dhe bisht, degë palme dhe xunkth brenda një dite të vetme.

15  Plaku dhe njeriu nga parësia janë koka; dhe profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra është bishti.

16  Ata që udhëheqin këtë popull e bëjnë të shkojë në rrugë të gabuar, dhe ata që udhëhiqen prej tyre i përpijnë.

17  Prandaj Zoti nuk do të kënaqet me të rinjtë e tij dhe as do t’i vijë keq për jetimët e tij dhe gratë e veja të tij, sepse të gjithë janë hipokritë dhe të çoroditur, dhe çdo gojë thotë marrëzira. Megjithë tërë këto gjëra zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

18  Sepse ligësia djeg si një zjarr, që përpin ferra dhe gjemba dhe flakëron në pjesën e dendur të pyllit, që ngrihet lart si një shtyllë tymi.

19  Për shkak të zemërimit të Zotit të ushtrive vendi digjet dhe populli është si eshkë për zjarrin; askujt nuk i vjen keq për vëllanë e vet.

20  Këputet nga e djathta, por uria vazhdon; gëlltitet nga e majta, por pa u ngopur; secili përpin mishin e krahut të vet.

21  Manasi përpin Efraimin, dhe Efraimi Manasin; dhe tok janë kundër Judës. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

10 Mjerë ata që nxjerrin dekrete të padrejta dhe ata që vazhdojnë të hartojnë vendime të padrejta,

për t’u mohuar drejtësinë të mjerëve, për t’u mohuar të drejtën të varfërve të popullit tim, dhe për t’i bërë gratë e veja pre të tyre dhe jetimët plaçkë të tyre.

Çfarë do të bëni ditën e ndëshkimit dhe të shkatërrimit që do të vijë nga larg? Te kush do të ikni për të kërkuar ndihmë dhe kujt do t’ia lini pasurinë tuaj?

Atyre nuk do t’u mbetet tjetër veç se të përkulen midis robërve ose të bien midis të vrarëve. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

Jakobit 3

Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër,

sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t’i vërë fre gjithë trupit.

Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre.

Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri.

Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!

Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena.

Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvaranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore,

kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s’mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.

Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.

10 Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.

11 Mos vallë burimi nxjerr nga e njejta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur?

12 A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.

13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.

14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.

16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,

17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.

18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.