M’Cheyne Bible Reading Plan
17 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe bëj që të të japin shufra, një për çdo shtëpi të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra nga të gjithë prijësit e tyre simbas shtëpive të etërve të tyre; do të shkruash emrin e secilit mbi shufrën e tij;
3 dhe do të shkruash emrin e Aaronit mbi shufrën e Levit, sepse do të ketë një shufër për çdo kryetar të shtëpive të etërve të tyre.
4 Pastaj do t’i vësh në çadrën e mbledhjes, përpara dëshmisë, ku unë takohem me ju.
5 Dhe do të ndodhë që shufra e njeriut që unë zgjedh, do të lulëzojë dhe unë do të bëj që të pushojnë murmuritjet e bijve të Izraelit kundër jush".
6 Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit dhe të gjithë prijësit e tyre i dhanë secili një shufër, simbas shtëpive të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra; dhe shufra e Aaronit ishte midis shufrave të tyre.
7 Pastaj Moisiu i vuri këto shufra përpara Zotit në çadrën e dëshmisë.
8 Të nesërmen Moisiu hyri në çadrën e dëshmisë; dhe ja, shufra e Aaronit për shtëpinë e Levit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame.
9 Atëherë nxori tërë shufrat jashtë pranisë së Zotit, përpara të gjithë bijve të Izraelit; dhe ata i panë dhe secili mori shufrën e vet.
10 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ktheja shufrën Aaronit përpara çadrës së dëshmisë, me qëllim që të ruhet si një shenjë qortimi për rebelët, me qëllim që të marrin fund murmuritjet e tyre kundër meje dhe ata të mos vdesin".
11 Moisiu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.
12 Bijtë e Izraelit i folën pastaj Moisiut, duke i thënë: "Ja, po vdesim, kemi marrë fund, të gjithë kemi marrë fund!
13 Kushdo që i afrohet tabernakullit të Zotit, vdes; duhet të vdesim të gjithë?".
18 Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj.
2 Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë.
3 Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t’u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata.
4 Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t’ju afrohet juve.
5 Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit.
6 Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, Levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes.
7 Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet".
8 Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t’i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj.
9 Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu.
10 Do t’i hash në vend shumë të shenjtë; do t’i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta.
11 Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t’i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t’i hajë.
12 Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t’i jap ty.
13 Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t’i hajë.
14 Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja.
15 Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t’i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra.
16 Dhe ata që duhet të shpengosh, do t’i shpengosh në moshën një muajsh, simbas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere.
17 Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.
18 Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë.
19 Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Éshtë një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu".
20 Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit.
21 Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes.
22 Dhe bijtë e Izraelit nuk do t’i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin.
23 Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm Levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit;
24 sepse unë u jap si trashëgimi Levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t’i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"".
25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
26 "Folu Levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t’i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës;
27 dhe oferta juaj e lartë do t’ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit.
28 Kështu edhe ju do t’i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron.
29 Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t’i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar.
30 Prandaj do t’u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t’u llogaritet Levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit.
31 Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes.
32 Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"".
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.
7 Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë.
2 Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: "Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim". Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.
3 Atëherë Zoti i tha Isaias: "Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit,
4 dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut.
5 Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë:
6 "Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit"".
7 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur,
8 sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull.
9 Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm".
10 Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha:
11 "Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë".
12 Por Ashazi u përgjigj: "Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin".
13 Atëherë Isaia tha: "Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është, vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim?
14 Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.
15 Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë deri sa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën.
16 Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset.
17 Zoti do të sjellë mbretin e Asirisë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd ditë që nuk kanë ardhur që kur Efraimi u nda nga Juda.
18 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do t’u fërshëllejë mizave që ndodhen në skajet e lumenjve të Egjiptit dhe bletëve që ndodhen në vendin e Asirisë.
19 Ato do të vijnë dhe të vendosen në luginat e shkretuara, në të çarat e krepave, mbi të gjitha gëmushët me gjemba dhe mbi të gjitha kullotat.
20 Atë ditë Zoti me një brisk të marrë hua përtej Lumit, domethënë me mbretin e Asirisë, do të rruajë kokën dhe qimet e këmbëve, si edhe mjekrën.
21 Atë ditë do të ndodhë që dikush do të mbajë një lopë të re dhe dy dele,
22 dhe për shkak të bollëkut të qumështit që do t’i japin, ai do të hajë ajkë, sepse ajkë dhe mjaltë kanë për të ngrënë të gjithë ata që kanë mbijetuar dhe janë lënë në mes të vendit.
23 Atë ditë çdo vend ku mund të kishte një mijë hardhi me një vlerë prej një mijë siklash argjendi do të bëhet pre e ferrave dhe e gjembave.
24 Do të hyhet në to me shigjeta dhe me hark, sepse tërë vendi do të jetë i mbuluar nga ferra dhe gjemba.
25 Dhe mbi të gjitha kodrat që u çelën me shatë nuk do të kalohet më nga frika e ferrave dhe gjembave; do të jenë një vend ku do të dërgohen qetë dhe që do të shkelet nga dhentë".
1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!
2 Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,
3 duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.
4 Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.
5 Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
6 Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.
7 Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,
8 sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.
9 Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,
10 dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.
11 Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.
12 Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.
13 Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndinë,” sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.
14 Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.
15 Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;
17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.
18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.
19 Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,
20 sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
22 Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.
23 Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;
24 ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.
25 Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.
26 Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.
27 Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.